Shifër alarmante: 86 kg ushqim përfundon në mbeturina për çdo person në Maqedoninë e Veriut

Një pjesë e madhe e ushqimit që blejmë përfundon në koshin e mbeturinave. Në Maqedoninë e Veriut, një person hedh mesatarisht 86 kilogramë ushqim në vit, shifër që është 17 kilogramë mbi mesataren e Bashkimit Evropian.

Familjet në BE hedhin mesatarisht 69 kilogramë ushqim për person në vit. Por mbetjet ushqimore në Maqedoninë e Veriut nuk kufizohen vetëm te familjet – ato janë mbi mesataren evropiane edhe në restorante dhe në sektorin e shitjes me pakicë.

Sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Food Waste Index 2024, në mbarë botën hidhen rreth 1.05 miliardë tonë ushqim çdo vit, ose rreth 19% e ushqimit të disponueshëm për konsumatorët.

Shifrat tregojnë përmasat e problemit të mbetjeve ushqimore dhe sasinë e ushqimit që humbet çdo vit.