Ish-presidenti slloven Milan Kuçan ka rrëfyer detaje nga ditët e fundit të Jugosllavisë, përfshirë një bisedë me Slobodan Millosheviqin në prill të vitit 1991.
Sipas Kuçanit, gjatë një takimi të udhëheqësve të republikave jugosllave në Brdo pranë Kranjit, Millosheviqi i kishte thënë: “Ju sllovenët mund të largoheni, por kroatët kurrsesi. Ata janë të lidhur me ne me gjak.” Kuçan thotë se iu përgjigj se askush nuk kishte të drejtë të vendoste se cila republikë mund të largohej nga Jugosllavia.
Ai mohoi se Sllovenia kishte bërë marrëveshje të fshehtë me Millosheviqin për t’u shkëputur, duke pretenduar se Lubjana synonte një ndarje paqësore të republikave.
Kuçan foli edhe për përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur Jugosllavinë, përfshirë një ofertë prej rreth pesë miliardë dollarësh për reforma ekonomike, por sipas tij në atë fazë shpërbërja e shtetit nuk mund të ndalej më.
Ai pranoi gjithashtu se, pas fillimit të luftës, disa komuna kroate blinin armë në Slloveni përmes Ministrisë së Mbrojtjes, duke e quajtur tregtinë e armëve “nënën e të gjitha aferave sllovene”, e cila, sipas tij, nuk është zbardhur plotësisht.
Kuçan foli edhe për mbi 25 mijë personat e fshirë nga regjistri i banorëve të përhershëm pas pavarësimit të Sllovenisë, duke e cilësuar këtë si një nga njollat më të mëdha të zhvillimit demokratik të vendit.
Burimi: Novosti / Express – 24sata
Rajon-Botë Kuçan zbulon bisedën me Millosheviqin: “Sllovenët mund të largohen, kroatët jo” (FOTO)






