Senatori amerikan: SHBA të furnizojë me avionë luftarakë Ukrainën

Senatori amerikan Richard Blumenthal, një demokrat nga Konektikati, tha të dielën se SHBA duhet të furnizojë Ukrainën me pajisje ushtarake, duke përfshirë avionë, në mënyrë që të mbrohet kundër Rusisë.

“Duhet të merren parasysh mjetet e mbrojtjes ajrore, si avionët, dronët, kundërajrorët, bateritë dhe raketat, të gjitha mjetet e mbrojtjes ajrore. Dhe ndjenja ime personale është se ne duhet t’i ofrojmë ato avionë sepse ata janë potencialisht shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e Ukrainës, ” tha Blumenthal.

Ai vazhdoi: “Jo me pilotët amerikanë, por me trajnimin që ukrainasit kanë nevojë për të fluturuar ata avionë dhe për t’i bërë ata efektivë si një parandalues, si dhe një forcë për të mbrojtur popullin ukrainas kundër epërsisë ajrore të avionëve luftarakë rusë”.

Pentagoni tha javën e kaluar se SHBA-ja ishte kundër një plani polak për të transferuar avionë luftarakë në Ukrainë përmes SHBA-së dhe një baze ajrore gjermane “në këtë kohë”. CNN raportoi më parë se anëtarët e NATO-s kanë shprehur shqetësime se ofrimi i avionëve luftarakë për Ukrainën – edhe nëse bëhet në mënyrë dypalëshe – mund të perceptohet nga Rusia si aleanca që përfshihet drejtpërdrejt në luftë. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i tha CNN të dielën më herët se SHBA-ja është e fokusuar në sigurimin e sistemeve të tjera anti-ajrore që mund të ndihmojnë ukrainasit të bëjnë përparim. /Abcnews.al/