Ukraina dhe Rusia janë shumë larg përfundimit të luftës përmes negociatave, tha të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke shtuar se presidenti Vladimir Putin ende beson gabimisht se ai mund të diktojë kushtet e paqes.
“E vërteta është se ne jemi larg negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë. Sepse Putini ende beson në mundësinë e një paqeje të diktuar,” tha Scholz në një fjalim para ligjvënësve gjermanë.
Scholz po ashtu tha të mërkurën se partnerët e NATO-s në Evropën Lindore mund të mbështeten te Gjermania, pasi ajo po ripajis ushtrinë e saj në mënyrë që të mund të mbrojë aleatët si dhe veten kundër të gjitha sulmeve të ardhshme.
“Në krizën më të madhe të sigurisë në Evropë për dekada, Gjermania – ekonomia më e madhe e BE-së dhe vendi më i populluar – po merr një përgjegjësi shumë të veçantë”, tha Scholz në një fjalim në parlament për samitet e ardhshme të Bashkimit Evropian, G7 dhe NATO-s.
“Dhe jo vetëm për sigurinë e saj, por edhe për sigurinë e aleatëve të saj,”, tha ai.
Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt, 2022 me një sulm të paprovokuar të Rusisë.
Ky sulm u pasua me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, të cilat megjithatë nuk e kanë detyruar Rusinë të ndalë sulmet.