Zejneli: Zgjedhjet për Këshillin komunal në Tetovë, të panevojshme, nuk ndyrshojnë asgjë (Video)

Profesori dhe analisti nga Tetova, Xhelal Zejneli, vlerëson se zgjedhjet për Këshill komunal në Tetovë që janë caktuar të mbahen më 20 gusht, janë të panevojshme dhe se nga të njejtat nuk fiton askush, shkruan gazeta LAJM.

“Janë zgjedhje të kota dhe të panevojshme sepse akoma pa e marrë veten Komuna e Tetovës, e ballafaquar me shumë probleme ekonomike, e ballafaquar me opstruksione nga më të ndryshme prej Qeverisë qendrore, pushtetit qendror, tashti të shkohet në zgjedhje. Arka e komunës së Tetovës është e zbrazët, disa xhiro-llogari janë edhe të bllokuara nga ana e Gjykatës për shkak të borxheve. Ka rryma të ndryshme që duan ta pengojnë zhvillimin normal të procesit, zhvillimin normal të funksionimit të Komunës së Tetovës. Për mua janë të panevojshme zgjedhjet dhe besoj që rezultati do të jetë i njejtë. Është vetëm humbje kohë, pa nevojë, nuk fiton askush”, tha Zejneli.

Ditë më parë, kryetari i Kuvendit ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për këshill komunal në Komunën e Tetovës. Vendimi është publikuar në Gazetën Zyrtare prej kur edhe ka filluar rrjedhja e afateve zgjedhore.

Këshilli komunal i Tetovës u shpërnda me vendim të Qeverisë si pasojë e mos miratimit të llogarisë perfundimtare deri më 31 mars sa parashikohet me ligj.