Sane, gjithnjë e më afër transferimit në Bayern

Me kalimin e kohës, Leroy Sane po shkon gjithnjë e më afër largimit nga Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar të verës dhe më afër transferimit të tij të ëndrrave në Bayern Munich.

Gazeta britanike Mirror raporton se përfaqësuesit e Leroy Sanes i kanë intensifikuar tentimet për t’ia siguruar sulmuesit anësor gjerman një kthim në vendlindjen e tij, pas katër vjetëve në Premierligë me Manchester Cityn.

Bayerni është gati t’i ofrojë rreth 70 milionë funte për Sanen, gjysmën e shumës që Manchester City e kërkonte gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, para se 24-vjeçari ta pësonte lëndimin serioz në ndeshjen e parë të sezonit.

Shkaku i atij lëndimi, Sane e ka pasur të pamundur të luajë këtë sezon. Megjithatë, lëndimi i ligamenteve të tij të gjurit nuk e ka larguar interesimin e Bayernit për të, pasi që gjermanët tani besojnë se do të mundë ta blejnë Sanen për një çmim më të arsyeshëm.

Tani që i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij dhe pasi që Sane ka refuzuar ta rinovojë këtë kontratë, vlera e tij në treg ka rënë dukshëm. Për këtë arsye, Manchester City do të duhet ta shesë atë këtë verë ose ta humbasë për asnjë cent verën e ardhshme.

Për më tepër, virusi Covid-19, që i ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive, i ka goditur klubet edhe në aspektin financiar dhe kjo bën që gjatë kësaj vere çmimet e lojtarëve të pritet të jenë më të ulëta sesa që kanë qenë gjatë viteve të fundit.