Braithwaite: Dua të bëhem legjendë në Barcelonë

Martin Braithwaite e ka pranuar se dëshiron të bëhet legjendë e Barcelonës, përderisa ka thënë se Camp Nou është stadiumi i tij i preferuar dhe se Ronaldo Nazario është idhulli i tij në futboll.

Sulmuesi Martin Braithwaite u transferua në Camp Nou në shkurt, pasi klubi katalonas mori leje të blejë zëvendësues për të lënduarit Luis Suarez dhe Ousmane Dembele, përkundër që ishte mbyllur afati kalimtar.

Kur u pyet se a e ka synim të bëhet legjendë në Barcelonë gjatë disa përgjigjeve që ua dha tifozëve në llogarinë e tij në Twitter, danezi i gëzoi tifozët me përgjigjen e tij.

“Natyrisht që po, dua të bëhem legjendë”, tha Braithwaite.

Braithwaite u përgjigj edhe në pyetje të tjera të shumta të tifozëve, gjatë të cilave shpeshherë e përmendi sërish klubin katalonas.

“Në futboll: Ronaldo Nazario. Jashtë futbollit: Muhammed Ali”, u përgjigj ai, kur u pyet se kë e ka idhull.

Kur u pyet se cili është stadiumi i tij i preferuar, ai u përgjigj: “Kjo është e lehtë. Camp Nou”.

“Ka shumë, s’mund të zgjedh”, tha kur u pyet për momentin e tij të preferuar në historinë e Barcelonës.

“Por, unë e mbaj mend shumë mirë golin e barazimit që Andres Iniesta e kishte shënuar kundër Chelseat në vitin 2009”.

Kur u pyet se cili është futbollisti më i shpejtë në Barcelonë, Braithwaite ishte i sigurt në përgjigjen e tij.

“Po flet me të tani”, iu përgjigj ai.