Rruga 1 në Gërçec në gjendje katastrofale, banorët: Komuna “nuk e vë ujin në zjarr” për këtë rrugë

“Banorët e Rrugës 1 në Gërçec të Sarajit shprehen jashtëzakonisht të shqetësuar për faktin se kjo rrugë është në gjendje shumë të keqe. Nuk është e rregulluar, nuk ka kanalizim dhe nuk ka ndriçim. Mungesa e ndriçimit rrit edhe më shumë shqetësimin e tyre, për vet fatin se gjatë natës kur fëmijët kthehen nga shkolla apo edhe kur vet ata kthehen për në shtëpi, rrezikohen për shkak se krah rrugës rrjedh edhe lumi dhe anësh kësaj rruge nuk ka as mbrojtëse. Mungesa e ndriçimit i rrezikon edhe më shumë.”

Ata thonë se rruga në fjalë në këtë gjendje ka pritur e ka përcjellë shumë kryetarë komunash, të cilët nuk kanë marrë mundimin për të bërë qoftë edhe investimin më minimal. Banorët kanë mbledhur edhe nënshkrime, të cilat i kanë dorëzuar në Komunës, por siç thonë, zgjidhje konkrete nuk u kanë premtuar.

“Unë jetoj këtu rreth 14 vite dhe kjo rrugë në këtë gjendje është. Krejt jemi ankuar, por s’është bërë asgjë. Kanalizimin e kanë sjellë deri në gjysmë të rrugës. Ja unë jamën tani e gërreva dhe më ka kushtuar rreth 1 mijë euro. Ata thonë “do të bëhet, do të bëhet”, por se kur do të bëhet, një Zot e di. Shikoje si është, për të ecur zhabat në të”.

“Paguajmë për ndriçim publik, por nuk kemi ndriçim. Ngjitemi vet nëpër shtylla për të vendosur llampa. Rruga është në gjendje katastrofale. Dalin hedhin dhe nëpër rrugë, pasi kanë punuar nëpër shtëpi, krijohet pjerrësire dhe i gjithë uji na hy në podrum. Ankohemi të gjithë, por më kot. Dy herë janë rrokullisur vetura atje”.

Për shqetësimet e banorëve tentuam të kontaktojmë me kryetarin e Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, por pa sukses. Ndryshe me komunën e Sarajit, në territorin e të cilës është edhe fshati Gërçec, kanë drejtuar kuadro të BDI-së./Alsat