Bashkimi Europian ka përforcuar kapacitetet të operacionit ALTHEA (EUFOR) në Bosnjë dhe Hercegovinë, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në këtë shtet, pas përshkallëzimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, raporton tv21.tv. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Xhozep Borell, në konferencën e sotme për media, tha se ky vendim tregon vendosmërinë për mbrojtjen nga destabilzimi i mundshëm në rajonin e Ballkanit që mund të vijë nga aktivitetet ruse.
“Në Ballkanin Perëndimor, siç njoftova të premten, vendosëm të mobilizojmë operacionin ALTHEA dhe deri më tani deri në 500 burra e gra do ta përfocojnë këtë forcë në terren. Falendroj shtetet që do të sigurojnë këto përforcime të kapaciteteve tona për ta kontrolluar situatën përmes operacionit ALTHEA. Kjo është shenjë për vendosmërinë tonë për ruajtjen e stabilitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë përballë destabilizimit të mundshëm nga aktivitetet ruse në Ballkan”, u shpreh Borell në konferencë për media, përcjell TV21.
Përfaqësuesi i lartë po ashtu tha se ekziston shqetësimi edhe për shtetet fqinje të Ukrainës, siç janë Moldavia dhe Gjerorgjia, të cilat po pranojnë refugjatë. “Moldavia është shteti për të cilin besojmë se do të rritet presioni rus ditëve në vijim” u shpreh Borrell, duke u shprehur i sigurt se populli rus nuk e dëshiron luftën që po bëhet me Ukrainën, por këtë luftë e ka nisur Putini me një grup oligarkësh që e mbështesin. Ai njoftoi se BE do të ndajë buxhet special për blerjen e armëve për mbrojtje të Ukrainës dhe do të përfshijnë edhe armët anti-tank. BE po ashtu ka mobilizuar qendrën satelitore në Madrid për mbështetje të intelegjincës ukrainase, tregoi përfaqësuesi i lartë./TV21