Ronaldo kërkon gol ndaj Mesit në Champions

Skuadra e Juventusit përballet me Barcelonën të martën në “Kamp Nou” me Kristiano Ronaldon, që është në kërkim të golit të tij të parë në Ligën e Kampionëve kundër Leo Mesit. Ylli portugez ka shënuar 750 gola në karrierë dhe është shënuesi më i mirë në historinë e garës elitare të Evropës.

Mirëpo ylli portugez, nuk ka shënuar kurrë kundër Leo Mesit në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Argjentinasi shënoi tre në pesë ndeshje. Kujtojmë se Ronaldo dhe Mesi luajtën 33 ndeshje njëri me tjetrin. Argjentinasi ka fituar 15 prej tyre duke shënuar 21 gola, ndërsa Ronaldo shënoi 18 gola dhe ka fituar nëntë ndeshje, në të gjitha garat kundër yllit të Barcelonës.