Rivaldo: Koeman po punon si duhet me të rinjtë, Zidane po e bën të kundërtën

Rivaldo ka vlerësuar mënyrën se si Ronald Koeman ka punuar me të rinjtë e Barcelonës dhe ka kritikuar Zinedine Zidane për dështimin për të bërë diçka të ngjashme në Real Madridin.

Ish- futbollisti i Barcelonës shpjegoi se holandezi ka integruar me sukses lojtarët e akademisë në një grup lojtarësh me përvojë.

“Unë gjithmonë kam thënë se çelësi për të menaxhuar talentet e reja është të mos u bësh shumë presion atyre, dhe unë mendoj se Koeman po bën mirë, duke sjellë të rinjtë së bashku me [Sergio] Busquets , [Lionel] Messi dhe Jordi Alba. Koeman meriton të përgëzohet dhe respektohet për atë menaxhim. Unë nuk e di kush do të qëndrojë pas gjithë kësaj, por [Zinedine] Zidane po bën të kundërtën e asaj që bëri kur ai filloi të përdorte talentë të rinj si [Fede] Valverde, Rodrygo ose Vinicius Junior” – tha Rivaldo në kolonën e tij në Betfair.

Barcelona e ka nisur shumë mirë vitin e ri, duke i fituar të gjitha takimet gjatë këtij viti, kurse testin më serioz do ta ketë nesër ku përballet me Athletic Bilbaon në finalen e Superkupës së Spanjës.

Momentalisht, katalunasit gjenden në vendin e tretë me 34 pikë, tri më pak se Real Madridi dhe shtatë më pak se Atletico Madrid, i cili ka dy ndeshje më pak të luajtura.