Regjistrimi i popullsisë në RMV do të nxjerrë në sipërfaqe edhe llumin tonë politik

Arbër Çeliku

Para 3 ditësh, më mori në telefon një miku im nga Cërvica, i cili jeton dhe vepron familjarisht qysh në rini në Zvicër, djalë nga dera e mirë dhe patriot i madh. “Jemi organizuar i madh e i vogël për t’u regjistruar”, më tha, “por, çfarë të bëjmë? Druaj mos të abuzojë (si zakonisht) shteti dhe mundin tonë, mos ta përvetësojnë partitë shqiptare në pushtet, të cilat nuk kanë pardon kur është në pyetje interesi partiak dhe klanor”. “Dhe”, vazhdoi ai, “të lutem shumë, më trego drejt, sepse ti i di më mirë punët!”

Pavarësisht disa dyshimeve të mia, që, me këtë rast, nuk dua të ma brejnë kokën në asnjë mënyrë, i thashë që ky është njëri ndër aktet më të mëdha kombëtare, sepse do t’i tregojmë botës se nuk jemi pak (siç na kanë paraqitur) dhe do ta dëshmojmë se, kudo që jemi, këtu apo në mërgatë, jemi një dhe nuk e japim tokën, vendlindjen, atdheun tonë, i cili vetëm se përkohësisht është i riformatuar si rrjedhojë e proceseve politike në disfavorin tonë, por që së shpejti do të vijë koha kur gjërat do të vijnë në vendin e vet.

Nuk desha të hyjë më thellë, por regjistrimi i popullsisë në RMV, përveç që do të nxjerrë politikat shoviniste sllave ndaj nesh si popull, do ta nxjerrë në sipërfaqe edhe llumin tonë politik për 3 dekada me radhë, qysh nga mëvetësimi i Maqedonisë në vitin 1991.

Populli shpejt do ta kuptojë mashtrimin e madh, shitjen e interesave kombëtare për interesa meskine personale të klikave politike, shpalljen e tokës tonë si zonë biznesi të tyren.

Populli do ta kuptojë se atyre kurrë nuk u ka interesuar numri real i shqiptarëve në RMV, por pushteti, ndikimi, pasurimi dhe përvetësimi i pronës publike.

Pavarësisht se ata, numrin real tonin, do të përpiqen ta kthejnë në epërsinë e tyre, përsëri do të duhet të japin llogari për heshtjen tridhjetë vjeçare, për diskriminimin, poshtërimin dhe minimizimin e të drejtave tona elementare kombëtare…