A mund ta ndjekë Serbia shembullin e Hungarisë dhe t’i hapë dosjet sekrete?

Vuk Drashkoviq
Bashkëbiseduesit e gazetës serbe “Danas” janë të një mendimi se pa hapjen e dosjeve sekrete nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë. Megjithatë, ata theksojnë se krahas zbardhjes së së kaluarës, duhet të shpërbëhet edhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Debati është rikthyer pasi kryeministri hungarez, Peter Magyar, paralajmëroi se do të përmbushë premtimin parazgjedhor të partisë Tisa për hapjen e dosjeve nga periudha e ashtuquajtur “diktaturë socialiste”.

Duke komentuar kërkesën për hapjen e dosjeve sekrete, Vuk Drashkoviq, ish-lider i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO), rikujton se partia e tij kishte dorëzuar që në vitin 2004 në Kuvendin e Serbisë një projektligj për hapjen e dosjeve, por ai kishte mbetur në sirtarët e Parlamentit.

“Ligji ishte hartuar sipas modelit të ligjit për hapjen e dosjeve të Stasit. Për atë projektligj nuk pranuan të votonin as Partia Demokratike, as Partia Demokratike e Serbisë, as radikalët dhe as socialistët. Ai mbeti në sirtarët e Kuvendit. Pa miratimin e këtij ligji dhe pa hapjen e dosjeve sekrete, nuk ka as demokraci dhe as Evropë. Do të vazhdojmë të mbetemi në kthetrat e KGB-së dhe një vrimë në qilimin evropian”, deklaron Drashkoviq për gazetën “Danas”.
TË HAPEN DOSJET DHE TË SHPËRBËHET BIA
Predrag Simonoviq, ish-inspektor i Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK), thotë për “Danas” se hapja e dosjeve është një ide e qytetëruar dhe e domosdoshme, por pyetja kryesore është se kush do të guxonte ta ndërmerrte një hap të tillë në Serbi.

“Natyrisht, në një vend ku historia shkruhet sipas nevojave të strukturave në pushtet dhe ku e kaluara ndryshohet brenda natës, hapja e arkivave duket po aq reale sa zbulimi se politikanët vërtet jetojnë me një pagë mesatare. E mbështes modelin hungarez nga A-ja deri te Zh-ja. Megjithatë, pyetja është se kush në Serbi do të guxonte ta shtypte butonin për hapjen e këtyre dokumenteve?

Gjysma e elitës politike dhe ekonomike do të mbetej brenda natës pa ‘prejardhjen e lavdishme familjare’ dhe do të duhej të shpjegonte se si paraardhësit e tyre, nga ‘punëtorë të ndershëm’, arritën të bëheshin pronarë të gjysmës së shtetit.

Por, të jemi realistë: hapja e dosjeve komuniste dhe publikimi i emrave të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete është vetëm gjysma e punës, madje pjesa më e lehtë, që ka të bëjë me fantazmat e së kaluarës. Çfarë do të bëjmë me figurat dhe institucionet që vazhdojnë të veprojnë sot?”, pyet Simonoviq.

Sipas tij, nëse Serbia dëshiron të pastrojë të kaluarën, duhet të fillojë nga maja e sistemit.

“Ka ardhur koha që BIA të shpërbëhet dhe të ndërtohet nga themelet, ndërsa urgjentisht të kryhet një verifikim i hollësishëm i të gjithë atyre që janë punësuar në këtë agjenci gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit.

Sepse, ta pranojmë, për sa kohë strukturat tona të sigurisë shërbejnë si shembull i mimikrisë politike dhe si terren për punësimin e militantëve partiakë, e jo për mbrojtjen e shtetit, hapja e arkivave të vitit 1945 nuk do të na vlejë për asgjë”, thekson ai.

Simonoviq shton se ka ardhur koha t’i jepet fund fshehjes pas sekreteve shtetërore dhe qytetarët më në fund ta mësojnë të vërtetën, si për ata që kanë përcaktuar të kaluarën e Serbisë, ashtu edhe për ata që, duke përqafuar traditën e ndërrimit të kampeve politike, po përcaktojnë të tashmen e saj.
“TË HAPEN TË GJITHA DOSJET NGA VITI 1945 E DERI SOT”
Avokati dhe nënkryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Aleksandar Olenik, deklaron për “Danas” se si ai personalisht, ashtu edhe partia e tij, mbështesin hapjen e të gjitha dosjeve të shërbimeve ushtarake dhe civile, nga viti 1945 e deri më sot.

Megjithatë, ai këmbëngul se një proces i tillë duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me shpërbërjen e BIA-s.

“Këmbëngulim që të krijohet një shërbim krejtësisht i ri, i cili nuk do të merret me përndjekjen e kundërshtarëve politikë, siç ka ndodhur deri më tani, por me mbrojtjen e rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Prandaj, këto dy procese janë të lidhura në mënyrë të pandashme dhe njëri pa tjetrin nuk do të kishte efektin e plotë”, thekson Olenik.

Çështja e hapjes së dosjeve sekrete në Serbi është pjesë e debatit publik që nga ndryshimet politike të 5 tetorit 2000.

Megjithëse ndër vite është premtuar se dosjet e vjetra do të hapeshin, deri më sot asnjë pushtet nuk e ka realizuar këtë proces.

Ndërkohë, sipas gazetës “Danas”, kjo çështje është bërë edhe pjesë e kushteve të integrimit evropian, në kuadër të kapitujve negociues 23 dhe 24.

Megjithatë, prej disa vitesh, edhe procesi i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ka mbetur pa përparim të dukshëm./”Danas”