Referendumi i dështuar serb në Kosovë, provokim / Kosova t’u ofrojë dyshtetësi shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Të shtunën që kaloi Kuvendi i Kosovës u bashkua pozitë e opozitë, me përjashtim të PDK-së, për të miratuar rezolutën kundër referendumit antikushtetues serbë në Kosovë.

Partia më e madhe opozitare PDK-ja, e kishte shprehur mbështetjen fillimisht nëpërmjet një deklarimi të kryetarit të saj, Memli Krasniqi, por të nesërmen shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, në emër të grupit njoftoi se ishte vendosur që të bojkotohej seanca. Seanca u bojkotua edhe nga Lista serbe.

Vendosmëria

Rezoluta për të ndaluar referendumin antikushtetues kaloi me 76 vota për, dhe një abstenim, të atyre deputetëve që morën pjesë në votim.

Reagimi i vendosur i institucioneve u përcoll edhe me konfiskimin e materialit zgjedhor në kufirin me Kosovën në Merdare, ndërsa njësitë speciale u nisën drejt pikave kufitare veriore. Po ashtu pati shtim të kontrolleve dhe reagim të policisë në qytetet me shumicë serbe, ndërsa në Klinë policia ndërhyri për të mos lejuar hapjen e një qendre të votimit.

Këto reagime të institucioneve të Kosovës e shtyri Serbinë që të deklarohej se tërhiqej nga mbajtja e referendumit në Kosovë.

Në asnjë shtet të konsoliduar në botë nuk lejohet që një shtet tjetër të mbajë zgjedhje, e lëre më që të votojë për referendum.

Kosova i ofroi si çdo shtet demokratik ushtrimin e të drejtës për ata serbë që kanë dyshtetësi, votimin me postë dhe votimin në përfaqësinë e Serbisë në Kosovë.

Mirëpo, ka pasur edhe raste kur Kuvendi i Kosovës, ka miratuar ligje edhe ka marrë vendime, ku deputetë kanë qenë të ndarë për çështje me interes shtetëror, siç është rasti i formimit të Gjykatës Speciale dhe Marrëveshja për Demarkacionin.

Deputetët duhet të jenë të bashkuar edhe në procesin e dialogut që të kemi konsensus të plotë ndërpartiak dhe ndërinstitucional.

Duhanaj: Qasja e përgjegjshme dhe unike

ImageAnalisti Leon Duhanaj
Analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deputetët me miratimin e Rezolutës dëshmuan se ekziston një qasje e përgjegjshme dhe unike, dhe se mund t’i ndryshojë për të mirë rrjedhat politike në raport me Kosovën.

“Zhvillimet e fundit në politikën tonë, gjegjësisht rreth vendimit për ta refuzuar mundësinë e lejimit të mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, dëshmuan se një qasje e përgjegjshme dhe unike, mund t’i ndryshoj për të mirë rrjedhat politike në Kosovë. Nuk do të thosha se duhet t’i adresohet ndonjërit fatura për gabime në të kaluarën, sepse nuk mendoj që duhet të investojmë në të kaluarën, por në të ardhmen. Megjithatë duhet theksuar se në Kosovën e pavarur nuk ka ndodhur të organizohet ndonjë referendum serb”, thotë analisti.

Sipas tij, të gjitha partitë do të kontribuojnë pozitivisht në konsensus kundrejt temave me interes madhor për vendin.

“Për fat të mirë, në këtë rast duhet thënë se duke qenë në Qeveri, VV është detyruar ta sheh zhvillimin institucional me një sy tjetër dhe real dhe si e tillë të zbres me dy këmbët në tokë, gjegjësisht në realitet. Partitë tjera opozitare, janë parti institucionaliste dhe si të tilla, besoj që do të kontribuojnë pozitivisht në konsensus kundrejt temave me interes madhor për vendin. Duhet theksuar se kjo situatë mund të shfrytëzohet pozitivisht me qëllim referimit të klasës politike në vend, në mënyrë që për tema me karakter nacional, të kemi konsensus të plotë ndërpartiak dhe ndërinstitucional”, përfundon ai.

Burjani: Kreativiteti dhe uniteti duhet të jenë parime bazë

ImageJuristi Blerim Burjani
Lidhur me këtë juristi Blerim Burjani deklaron se vendimi i deputetëve të Kuvendit është qëndrim unik, sepse më mirë të bashkuar sesa të ndarë.

“Po natyrisht se ndihmon për të mirë një qëndrim unik, se sa të ndarë dhe me probleme e trysni, kështu është politikisht më e pranueshme, me folë me një zë për temat e shumta që lidhen me shtetin, pra sa më shume duhet folur në mënyrë unike për temat nacionale, këto tjerat janë beteja politike pozitë-opozitë”, deklaron ai.

Në fund, juristi thekson se deputetët mund të jenë të bashkuar edhe në tema nacionale si për dialog, duke nënkuptuar edhe kreativitetin dhe unitetin.

“Pra, kreativiteti dhe uniteti duhet të jenë parime bazë të pozitës dhe opozitës në temë për dialogun, kreativiteti nënkupton një rol më aktiv të Kosovës dhe më të favorshëm për shtetin. Pra, duhet folur me një zë, Kosova duhet sa më parë t’ju ofrojë dyshtetësi shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ku përfshihen tre komuna shqiptare. Kjo duhet të ndodhë në mënyrë automatike që shqiptarët në Luginë të kenë shtetësinë e Kosovës po ashtu, pra kërkohet kreativitet politik”, përfundon ai.