Amerikanët i shuajnë Greqisë ambicien “EastMed”, një vendim si dush i ftohtë për një nga projektet kryesore të politikës së Athinës në Mesdheun Lindor

Shkruan: Shaban Murati

Gjeopolitika e shteteve të mëdha nuk mund të lejojë gjeopolitikën e rrëmujshme të aleatëve të tyre të vegjël, të cilët për interesa individualiste ngatërrojnë këmbët në lojrat e mëdha energjitike dhe gjeopolitike, duke shkaktuar shqetësime globale. Një mësim të tillë i dha qeveria amerikane qeverisë së Greqisë, duke i dërguar në 10 janar 2022 një notë zyrtare, ku e njoftonte se SHBA nuk e mbështesin projektin e gazsjellësit “EastMed”, të planifikuar nga Greqia, për të dërguar gazin natyror nga Izraeli nëpërmjet Qipros dhe Greqisë për në Europë. Gazeta greke “Ekathimerini” shkruante në 10 janar se “Uashingtoni hapur shpreh rezervat e tij, efektivisht duke minuar zbatimin e projektit ambicioz. Qendrimet e SHBA i janë dorëzuar edhe Izraelit dhe Qipros”. Portali i njohur ”euractiv.com” shkruante në 11 janar se “Greqia në heshtje pranon vdekjen e projektit EastMed”.

Projekti i ndërtimit të gazsjellësit “EastMed” u iniciua nga Greqia në një përpjekje për të konsoliduar një aleancë të re energjitike dhe politike të saj me Izraelin dhe Qipron dhe për të forcuar rolin e Greqisë si një qendër ndërkombëtare e shpërndarjes së gazit në Europë. Është një megaprojekt ambicioz, që shkon përtej mundësive të tre shteteve të vogla pjesëmarrëse, sepse gazsjellësi “EastMed” është projekt për gazsjellësin më të gjatë dhe më të thellë ujor në botë. Ai planifikohet të jetë rreth 2 mijë kilometra gjatësi dhe me një shtrim tubash në një thellësi ujore prej tre mijë metra nën det. Për krahasim mund të përmendim se gazsjellësi “North Stream 2”, që lidh Rusinë me Gjermaninë nëpër detin Balltik, është 1200 kilometra i gjatë dhe me një shtrim tubash në një thellësi deri 50 metra nën det. Kostoja e “EastMed” që parashikon të transmetojë në Europë 10 miliard metra kub gaz në vit, vlerësohet në 7-10 miliard dollarë, çka tregon se projekti kërkon investitorë tepër të fuqishëm ndërkombëtarë.

Projekti grek i gazsjellësit “EastMed” u përqafua me entusiazëm nga Qipro dhe Izraeli për arsyet e tyre dhe gjet mbështetje edhe nga ndonjë shtet europian me ndikim në Komisionin Europian të BE. Në 2 janar 2020 Greqia, Izraeli dhe Qipro nënshkruan në Athinë në nivelin më të lartë qeveritar marrëveshjen tripalëshe për ndërtimin e gazsjellësit “EastMed”.

Qysh në fillim është folur nga ekspertët për vështirësitë dhe pamundësitë e ndërtimit të një gazsjellësi të tillë për mungesa efektiviteti në planin financiar, tregtar, ekonomik, teknik dhe ekologjik. Qysh në fillim është folur nga ekspertët se projekti “EastMed” ishte shumë larg karakterit energjitik. Por tre shtetet e vogla pjesëmarrëse u përpoqën që të mbulonin thelbin politik dhe gjeopolitik të projektit të tyre me tezën se “EastMed” do të pakësonte varësinë e Europës nga gazi rus dhe do të diversifikonte burimet energjitike europiane.

Mirpo projekti i gazsjellësit “EastMed” e komplikoi skemën energjitike dhe gjeopolitike perëndimore në rajonin e Mesdheut, ende pa nisur ndërtimi i tij. “EastMed” krijoi komplikime në lojrat makroenergjitike dhe makrogjeopolitike perëndimore, të cilat janë përtej fuqisë dhe rolit e të shteteve të vogla protagoniste të projektit “EastMed”. Qeveria e presidentit të SHBA Bajden në notat e saj drejtuar qeverisë së Greqisë, Izraelit dhe Qipros, për heqjen e çdo mbështetje amerikane ndaj projektit “EastMed”, shprehet qartë se ky projekt nxit tensionet në rajonin e Mesdheut Lindor. Gazeta “middleeastmonitor” shkruante në 12 janar se se “SHBA braktis planet për gazsjellësin “EastMed” për shkak se destabilizon tensionet rajonale. Një dokument i qeverisë amerikane zbulon se Uashingtoni ka shprehur shqetësimin e tij se projekti mund të jetë burimi i parë i tensionit dhe të ketë efekt destabilizues”. Stacioni televiziv shtetëror grek “ERT” njoftonte se “një nga arsyet përse qeveria amerikane nuk e mbështet projektin “EastMed” është krijimi i tensioneve në Mesdhe”.

Qeveria e SHBA u bën të qartë aleatëve të vet, Greqisë dhe Izraelit, se kanë shkelur vijat e kuqe të interesit strategjik amerikan në detin Mesdhe me projektin e tyre. Aleatët e vegjël paralajmërohen se i janë future një loje gjeopolitike të dëmshme dhe të palejueshme nga Amerika. Qeveria e SHBA përcakton qartë dhe direkt arsyen kryesore përse ajo nuk e mbështet projektin e gazsjellësit “EastMed”. Portali “cyprusrussiabusiness.com” shkruante në 10 janar: “Pakënaqësia e Uashingtonit, që argumenton mungesën e përkrahjes për “EastMed” me shqetësimin për stabilitetin gjeopolitik të rajonit”.

Gjeopolitika globale e SHBA si fuqia më e madhe e botës, interesat e së cilës kërkojnë ruajtjen e stabilitetit, të paqes dhe të ekulibrave strategjikë në gjithë rajonet e globit, nuk mund të neglizhojnë një rajon si Mesdheu, aq jetik për interesat amerikane dhe atlantike. Në Mesdhe janë shumë shtete anëtare të NATO-s, në Mesdhe është e dislokuar në mënyrë permanente Flota e Gjashtë amerikane, Mesdheu është kryqëzimi jetik i tre kontinenteve. SHBA nuk mund të pranojnë që interesa të ngushta individualiste të një apo dy shteteve të Mesdheut, qofshin edhe aleatë të SHBA, të ndërmarrrin projekte të dëmshme, që ndërhyjnë dhe provokojnë tensione dhe destabilitet në pellgun e Mesdheut.

Në fakt vetë gjeneza e projektit “EastMed” i jep shumë të drejtë qendrimit të tanishëm të qeverisë së presidentit Bajden. Projekti u iniciua nga Greqia dhe u përqafua nga Izraeli dhe Qipro, jo për interesa energjitike, por si një mikroaleancë e re politike e tre shteteve mesdhetare kundër një shteti tjetër mesdhetar dhe anëtar i NATO-s, Turqisë. Kjo aleancë e re kishte si pikënisje dhe si bazament të saj qendrimet dhe politikën antiturke të tre shteteve të vogla mesdhetare. Në vitin 2019 kam shkruar se “Projekti “East Med pipeline” u krijua nga Greqia si një aleancë e re energjitike dhe gjeopolitike midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit, me objektivin e lexueshëm të një poli trepalësh kundër Turqisë. “EastMed” është më shumë një projekt gjeopolitik se sa energjitik, që pritet të sjellë komplikime situatash ndërkombëtare në Mesdheun Lindor dhe në Ballkan”.(Libri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, 2021, fq.89).

Greqia, që pretendon të bëhet një fuqi e madhe mesdhetare, u bë nismëtarja e projektit “EastMed” me synimin e mënjanimit të rolit dhe të interesave të Turqisë në Mesdheun Lindor. Greqia injoroi pasojat e këtij projekti në stabilitetin e rajonit dhe rreziqet që sillte ai, duke sfiduar të drejtat e Turqisë. Madje trajektorja e gazsjellësit “EastMed” kalon në zonat ekonomike ekskluzive detare, të cilat i takojnë Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore. Ankaraja e bëri të qartë zyrtaritsh qysh në fillim se ajo nuk do të lejojë që gazsjellësi të kalojë nëpër zonat detare ekonomike të Turqisë dhe të Republikës Turke të Qipros Veriore. Vendosmëria e Turqisë u manifestua qartë në krizën e Mesdheut Lindor gjatë viteve 2020-2021. Tensionet e mëdha, që karakterizuan situatën në Mesdheun Lindor vërtetuan se gazsjellësi “EastMed” paraqiste një casus beli të qartë për rajonin. Dhe SHBA nuk mund ta lejojnë këtë.

Greqia është përpjekur vitet e fundit që të krijojë disa aleanca të habitëshme politike në perimetrin e detit Mesdhe mbi bazën e qendrimeve dhe të politikës së saj emotive antiturke. Në zbatim të kësaj strategjie individualiste Greqia i ka shkuar me ndërgjegje acarimit të tensioneve në pellgun e Mesdheut, e obsesionuar nga qëllimi për izolim diplomatik dhe energjitik të Turqisë në rajon. Në planin energjitik Athina shpresonte se me projektin “EastMed” do të konkuronte gazsjellësit “TAP” dhe “Turkish stream”, që janë ndërtuar dhe kalojnë nëpër Turqi. Në planin strategjik Athina shpresonte se me “EastMed” do të sanksiononte sovranitetin e saj në hapësirën më të madhe detare të Mesdheut.

Hapat e Greqisë drejt kësaj ambicje mesdhetare u shkallëzuan deri në pikën absurde të nënshkrimit të një pakti ushtarak me Francën, ku për herë të parë në historinë e NATO-s dy shtete anëtare të aleancës atlantike planifikojnë ndërhyrje të përbashkët ushtarake ndaj një shteti tjetër anëtar të NATO-s. Ky nen është thelbi i paktit ushtarak franko-grek i drejtuar kundër Turqisë, dhe që u nënshkrua në Paris në 27 shtator 2021. Ky rast i paprecedent, ku dy shtete anëtare të NATO-s angazhohen me pakt për ndërhyrje ushtarake ndaj një shteti tjetër anëtar të aleancës atlantike, shkaktoi sipas burimeve diplomatike pakënaqësi strategjike në SHBA, në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe, ku ka patur gjithmonë rezerva të mëdha për politikën mesdhetare të Greqisë.

SHBA dhe NATO kanë nevojë jetike dhe strategjike që Mesdheu të jetë det atlantik, një rajon i stabilitetit dhe jo i tensioneve artificiale të krijuara nga interesat individualiste të shteteve të vogla mesdhetare njera me tjetrën. Ndaj SHBA janë kaq të vëmendshëm për zhvillimet ne Mesdhe dhe synojnë neutralizimin e çdo vatre, burimi dhe shkaku për nxitjen e tensioneve në atë rajon. Ndaj i ndezën dritën e kuqe projektit të gazsjellësit “EastMed”. Portali grek “greekreporter.com” citonte në 13 janar deklaratën e Charles Ellinas, president “EC Cyprus Natural Hydrocarbons Company”, që theksonte se “Projekti “EastMed” tani është komplet politik dhe jo vetëm na çon në drejtim të gabuar në çeshtjen e energjisë, por gjithashtu nuk kontribuon për paqen në rajon”.

Ndërhyrja akute e SHBA bëhet edhe më urgjente në koniukturat e reja ndërkombëtare të krijuara nga vala e re e agresivitetit të Rusisë në Europë dhe nga kërcënimet e reja ruse në adresë të aleancës atlantike. Është koha kur Rusia ka grumbulluar qindra mijra trupa në kufijtë e Ukrainës dhe përgatitet për një ndërhyrje të re në atë vend njësoj si me agresionin e vitit 2014, sepse Moska kërkon të ndalojë me forcë të drejtën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Kremlini i dërgoi në 17 dhjetor 2021 kërkesa ultimative SHBA dhe NATO-s që të mos zgjerohen dhe të mos dislokojnë trupa dhe pajisje ushtarake në shtetet anëtare të NATO-s. Demonstrim flagrant i agresivitetit të ri rus ishte ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Kazakistan në 6 janar 2022 për të vendosur “rendin e brendshëm” në një shtet anëtar të aleancës ushtarake CSTO, që drejtohet nga Moska. Është hera e parë që Rusia përdor forcat e saj ushtarake për të vendosur kontrollin e saj në një shtet anëtar të aleancës së vet ushtarake.

Në këtë agresivitet të ri shumëdimensional të Rusisë në rajone të ndryshme të Europës dhe të Azisë bëhet imperative në planin gjeopolitik nevoja jetike e uljes së tensioneve në pellgun e rëndësishëm të Mesdheut. Ndaj qeveria amerikane u dërgoi notat zyrtare Greqisë, Izraelit dhe Qipros, se nuk mbështet projektin e gazsjellësit “EastMed”, sepse ai destabilizon rajonin dhe shkakton tensione. Llogaria më e thjeshtë gjeopolitike tregon se përplasjet dhe konfliktet midis aleatëve të SHBA në pellgun e Mesdheut shkojnë në favor të strategjisë antiamerikane dhe antiatlantike të Rusise. Llogaria më e thjeshtë gjeopolitike dëshmon rëndësinë e veçantë strategjike të Turqisë në rrethanat e reja ndërkombëtare të konfrontimit të ri perëndimor me Rusinë, për mbrojtjen e interesave amerikane dhe atlantike.

Vendimi i qeverisë amerikane është një dush i ftohtë dhe goditje direkte për ambicjet e mëdha mesdhetare të Greqisë. Gazeta greke “Ta Nea” shkruante në 12 janar se “vendimi i SHBA është çertifikata e vdekjes për një nga elementet kryesore të politikës së Greqisë në Mesdheun Lindor”. Pikënisja e gabuar e Athinës është se e planifikoi gazsjellësin “EastMed” si një projekt gjeopolitik dhe jo si projekt energjitik. Athina gjykoi se me projektin “EastMed” do të izolonte Turqinë dhe ta detyronte atë të pranonte dominimin grek në Mesdheun Lindor. Është ambicja jorealiste e shndrrimit të Greqisë në fuqi të madhe mesdhetare. Greqia neglizhoi faktin e madh se sipërmarrja e saj hapte thesin e erërave të Eolit në detin Mesdhe me stuhitë e përplasjeve dhe të konflikteve të rrezikëshme dhe të dëmshme për interesat amerikane dhe atlantike. Gazeta “investigate-europe” shkruante në 7 janar se “Në 12 vitet e fundit udhëheqja politike e Greqisë ka promovuar gazsjellësin “EastMed” si shtylla e strategjisë energjitike dhe gjeopolitike të vendit”. Ministri grek i energjisë në vitet 2016-2019 George Stathakis thekson: ”Greqia e konsideron dimensionin gjeopolitik të gazsjellësit “EastMed” sinjifikant në shkallën më të lartë”.

Gjeopolitika individualiste greke bie ndesh në mënyrë flagrante me gjeopolitikën e madhe perëndimore dhe atlantike të SHBA. Ndaj dhe qeveria e presidentit amerikan Xho Bajden i tregoi Athinës kufijtë e vijës së kuqe gjeopolitike amerikane dhe atlantike, që nuk mund të kapërxejë ambicja mesdhetare greke./DITA.