Reagon Xhemaili: “Akuza” ndaj meje tentim i radhës i BDI-së për të njollosur arritjet tona

Kryetari i Komunës së Bogovinës Albon Xhemaili ka reaguar pas njoftimit se Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi ndaj tij në lidhje me punimet për ndërtimin e ujësjellësit të fshatit Siniçan. Ai ka thënë se zyrtarisht nuk është njoftuar për këtë, por ka vlerësuar se kjo është një tendencë e radhës e strukturave të BDI-së për të krijuar huti në opinion.

“Lajmi se ndaj meje si kryetar i komunës së Bogovinës, është ngritur padi penale për veprën penale “punë të papërgjegjshme” janë tentimi i radhës i BDI-së për të mbjellur frikë dhe për të njollosur punën time si kryetar. Bëj të ditur se në adresën time nuk ka arritur asnjë dokument që vërteton padinë, prandaj ky lajm bëhet me të vetmin qëllim për të hutuar publikun, e aq më tepër kur nuk ekziston asnjë bazë për të ngritur padi të tillë! Punët për realizimin e projektit të ujësjellësit janë ndërmarrë në përputhje me ligjin dhe asnjë procedurë ligjore nuk është shkelur. Kjo lojë e ulët e BDI-së po vazhdon të dëmtojë qytetarët, prandaj apeloj që në kohë sa më të shpejtë e vërteta të del në shesh”, ka shkruar Xhemaili. /SHENJA/

Loading...