Rama: Nxjerrja e naftës në sipërfaqe do ishte kapërcim historik në jetën ekonomike të Shqipërisë

Testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e gazës dhe naftës së Shpiragut, në sipërfaqe, është në përgatitje. Nëse procesi realizohet me sukses, kjo do të shënojë një kapërcim historik në jetën ekonomike të Shqipërisë.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili  një ditë më parë (22 gusht) inspektoi punimet në kantier i shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku.

“MIRËMËNGJES dhe nga vizita në kantierin e një shprese të madhe për #Shqipërinë2030🇦🇱, ku pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Kompania Shell ka vijuar punën për shpimin e pusit vlerësues Shpirag-5. Për këtë, Shell ka përfshirë edhe dy lokacione të tjera alternative. Shpimet për Shpirag-5 nisën në tremujorin e parë të vitit 2022. Shpimet e reja do të vendoseshin nga rezultatet që do të kishin puset Shpirag 3, 4 dhe 5.

Më parë kompania e kërkimit vlerësoi se Shpirag-5 shërben për të përcaktuar nëse ka rezerva të mjaftueshme për të garantuar një zbulim fitimprurës dhe që përmbajje nafte ose gazi brenda strukturës.

Këto ditë kompania ka bërë një vlerësim të rezervuarit të hidrokarbureve, që gjendet ndërmjet 4 000 – 7 000 metra thellë në tokë. Dhe rezultati ka qenë befasues. Ky nuk është pusi i vetëm që Shell ka. Aktivitetet kërkimore kanë nisur në vitin 2010.