Rrobelli për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Skandal, por jo dëshmi se BE-ja është kundër Kosovës!

Analisti politik Enver Rrobelli ka reaguar ndaj interpre­timit të një kënge nacionaliste serbe në Bruksel, duke e cilësuar ngjarjen skandaloze, por duke kritikuar edhe përpjekjet për ta paraqitur Bashkimin Evropian si kundërshtar të Kosovës.

Rrobelli kujtoi se komisionerja evropiane Marta Kos ka shprehur keqardhje për incidentin, ndërsa muzikanti slloven Marko Hatlak, i cili interpretoi këngën me grupin Kapobanda, ka kërkuar disa herë falje.

Sipas tij, reagimet që sugjerojnë se në Bruksel ekziston një politikë e organizuar kundër Kosovës janë të pabazuara.

“Ajo që ndodhi me këngën është skandal, por kjo nuk do të thotë se, për hesapet e politikës së brendshme në Kosovë, politikanë e politikane të frustruar duhet të ndërtojnë teori konspiracioni”, thekson Rrobelli.

Ai kritikoi gjithashtu politikanët që, nga njëra anë, ankohen për humbjen e fondeve evropiane për shkak të bllokadave institucionale, ndërsa nga ana tjetër përpiqen të krijojnë perceptimin e një Brukseli antikosovar.