Një 21 vjeçar nga Kosova por rezident në Francë është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Rezidenti”, në portin e Durrësit.
Ai u kap me një armë pa leje të cilën tentoi ta trafikonte drejt Francës. Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit 21-vjeçarit V.A. iu gjet dhe ju sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe dy krehrat e saj.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë zjarri që do ta trafikonte drejt vendit të tij të rezidencës, u finalizua operacioni policor i koduar “Rezidenti”, në kuadër të të cilit në dalje të RSh-së, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi nga Kosova, V. A., 21 vjeç, rezident në Francë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në vijë të dytë, në automjetin tip “Fiat 500” që drejtonte 21-vjeçari, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra të saj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.