Rama: Nuk kemi informacion për sulm të mundshëm terrorist nga Irani, por po monitorojmë gjithçka

Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të institucioneve shqiptare, i pyetur se sa e kërcënuar është Shqipëria nga një sulm terrorist iranian, kryeministri Edi Rama thotë se deri më tani “nuk ka informacion për rrezik të shtuar”.

Megjithatë, shton ai, se gjithsesi Shqipëria ndjek gjithçka, sepse “para nesh kemi një regjim djallëzor dhe të paparashikueshëm”.

“Nuk kemi të dhëna që ndihemi të kërcënuar, por nga ana tjetër kemi regjim djallëzor, i cili mund të jetë i paparashikueshëm”, thotë Rama.

Ai rithekson se nga sulmet kibernetike nuk është vjedhur asnjë e dhënë sensitive e shtetasve shqiptarë.

Shqipëria u sulmua nga hakerat më 15 korrik, kur, për tre javë të gjitha sistemet qeveritare ishin jashtë funksionit.

Më pas hakerët nisën publikimin e të dhënave dhe tre ditë më pas Prokuroria ua ndaloi mediave ripublikimin e tyre.