“Rama me Serbinë, Meta me Kosovën”, ky është plani për ta bindur Kurtin dhe Osmanin për “Ballkanin e Hapur”

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në projektin “Ballkani i Hapur”.

Por, pavarësisht se kryeministri Edi Rama përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt, presidenti shqiptar Ilir Meta, është kundër kësaj nisme.

Dje gjatë qëndrimit në Kosovë, Meta ka thënë se ky projekt ringjall fantazmën e Millosheviçit dhe e rivalizon procesin e Berlinit.

Kjo deklaratë u bë në ditën kur po mbahej takimi i radhës për Open Balkan.

“Rezerva e parë që kam për Open Balkan është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, ka deklaruar presidenti Meta.

Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër “Ballkanit të Hapur”, derisa Rama insiston se ajo dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen në këtë projekt.

Kundër ka qenë edhe Gjermania.

Se si komentohet deklarata e presidentit Meta dhe insistimi i Ramës për tu bashkuar në “Ballkanin e Hapur”, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se derisa Meta ishte në Prishtinë dhe ishte kundër Ballkanit të Hapur, Rama ishte në Serbi.
Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Foto galeri

“Dje kanë ndodhur dy ngjarje me protagonist dy liderët kryesorë të shtetit shqiptar. Presidenti Ilir Meta ishte për vizitë në Kosovë dhe në Kolegjin AAB ka mbajtur një fjalë, me të cilën ka kundërshtuar idenë serbe të Open Balkan. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë virtualisht në një konferencë të kësaj iniciative të Ballkanit të Hapur në Beograd. Pra, Ilir Meta është në Kosovë. Edi Rama ishte në Serbi. Ilir Meta është kundër Open Balkan, Edi Rama mallkon çdo politikan të rajonit që e kundërshton këtë nismë”, është shprehur ai.

Profesori vlerëson se nuk do të duhej të ishte kështu por që jemi në një situatë të pazakontë dhe përmend marrëveshjen e Enver Hoxhës me Titon.

“A duhej të ishte kështu? Sigurisht që jo. Por jemi në një situatë të pazakontë, më të pazakontën. Kjo situatë na kujton marrëdhënien e diktatorit Hoxha me Jugosllavinë e viteve 1941-1948. Marrëveshja e parë që Enver Hoxha nënshkroi me Titon ishte ajo marrëveshje që e detyronte Marshallin Tito ta mbronte qeverinë e Tiranës dhe vetë diktatorin shqiptar nga ndonjë ndërhyrje nga jashtë ose nga brenda për rrëzimin e tij nga pushteti. Pastaj nënshkroi edhe nja 33 marrëveshje të tjera. Të gjitha ishin në favor të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas Bytyçit, tani po ndodhë e njëjta gjë me Ramën, që bën marrëveshje me Vuçiqin, derisa qëllimin e kanë për pushtetin e tyre.

“E njëjta gjë ka ndodh me Edi Ramën. Marrëveshja e parë e kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë është ajo që „të mbështesin njëri-tjetrin fort për të qëndruar secili në vendin e vet në pushtet“! Dhe praktikisht kështu ka ndodhur. Vuçiq doli hapur një javë para zgjedhjeve të 25 prillit të shkuar në mbështetje të fitores së Edi Ramës në ato zgjedhje dhe sulmoi Sali Berishën. Edi Rama ia kthen shpërblimin, duke mbështetur të gjitha iniciativat e Serbisë në rajon. Në llogari nuk është as Shqipëria, as Kosova, por është vetëm pushteti i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq”, ka theksuar profesori për “Bota sot”.

Ai shton se Rama dëshiron që ta përfshijë Kosovën në këtë projekt pasi dëshiron ta formojë Jogusllavinë e re, bashkë me Vuçiqin dhe i bën presion Kosovës, derisa vlerëson se ai do të përpiqet ta joshë Kurtin dhe Osmanin që të pajtohen me këtë nismë.

“Pra Edi Rama insiston ta përfshijë Kosovën dhe rajonin në iniciativën e Ballkanit të Hapur, sepse ai dëshiron që së bashku me mikun e tij në Beograd të krijojnë Jugosllavinë e Re. Mospjesëmarrja e Kosovës dhe e Malit të Zi e pamundësojnë këtë Jugosllavi të re. Prandaj Rama po përdor për këtë edhe Dritan Abazoviçin, me qëllim që ta bindë atë për pjesëmarrje në Open Balkan. Ndërsa Kosovës i bën presion. Është ende në fazën e presionit. Pas presionit do të ofrojë karotën ose kulaçin. Do të përpiqet ta joshë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin që të bien dakord për t’u bërë pjesë e kësaj nisme”, ka potencuar ai.

Profesori ka thënë se se ata kanë arritur ta bindin edhe administratën Biden derisa ka marrë pjesë dhe Escobar e po ashtu edhe Lajçak, pavarësisht se BE është kundër.

“Por jo vetëm kaq. Nga formati i samitit të Beogradit duket se Vuçiq dhe Rama ia kanë arritur të bindin administratën amerikane për ta mbështetur Open Balkanin. Gabriel Escobar ka qenë pjesëmarrës virtualisht në Beograd. Po ashtu edhe Lajçak nga BE. Nuk e di se në çfarë pozite do të marrë pjesë Lajçak, sepse BE është kundër kësaj iniciative”, ka vlerësuar Bytyçi.

Ai përmend kundërshtimin e Gjermanisë, e cila është kundër për të njëjtën arsye si presidenti Meta dhe se “Ballkani i Hapur” ka për qëllim të zëvendësojë procesin e Berlinit.

“Bashkimi Evropian, sidomos Gjermania, nuk e kanë përkrahur Ballkanin e Hapur për atë arsye, të cilën e përmendi sot në Kosovë presidenti i shtetit shqiptar, Ilir Meta; Për shkak se kjo iniciativë sfidon Iniciativën e Berlinit. Dhe e vërteta është se iniciativa e minishengenit e shndërruar në Open Balkan ka për qëllim të zëvendësojë Procesin e Berlinit. Këtë e kanë pranuar edhe Zoran Zaev, edhe Edi Rama, kur flasin për alternative tjera të bashkëpunimit jashtë kornizave të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar profesori.

Po ashtu, sipas tij, ky projekt do ta izolojë Kosovën dhe shndërrojë në vasale politike të politikave të Beogradit dhe përmes këtij projekti duan ta detyrojnë Kosovën ta pranojë sovranitetin e Serbisë por që me krijimin e një Jogusllavie të re cenohet pavarësia e Kosovës.

“Por, ashtu siç e thotë presidenti Meta, Open Balkan synon gjithashtu ta izolojë Kosovën, ta shndërrojë atë në një vasale politike të politikave të Beogradit. Përmes Open Balkanit Rama dhe Vuçiq duan që ta detyrojnë Kosovën të pranojë sovranitetin e Serbisë. Si mund të ndodhë kjo? Duke krijuar atë që quhet Jugosllavi e Re, vihet në pikëpyetje shpallja e pavarësisë së Kosovës. D.m.th rikthehet ideja e krijimit të një federate të re Jugosllave. Shtetet që bëhen pjesë e kësaj federate e të cilat nuk kanë qenë pjesë e kësaj federate, si Shqipëria, mund të lejohet të mbajë statusin e shtetësisë të njohur ndërkombëtarisht në OKB. Ndërsa shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia tentohet të detyrohen ta pranojnë statusin e republikës si në periudhën para e pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova do të jetë e para që do të kyçet në këtë formulë, sepse ajo ende nuk është anëtare e OKB-së. Pas saj vjen Mali i Zi, historia e të cilit përsëritet njësoj si në vitin 1918, kur u vra Mbreti, me qëllim bashkimin e këtij vendi me Serbinë. Dhe më pas do të vijojë kjo me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, e cila mund të kishte një status special, njësoj si Shqipëria, por vetëm formalisht”, ka theksuar Bytyçi.

Krejt në fund, ai ka thënë se derisa Rama mbështet Serbinë, Meta mbështet Kosovën por që gjithçka varet nga politikanët e Kosovës, të cilët askush nuk mund t’i detyrojë të bëhen pjesë e një Jugosllavie të Re, nëse nuk duan.

“Kjo strategji serbe është e njohur dhe e ditur nga kryeministri i Shqipërisë, po ashtu dhe nga presidenti Meta. Por ndërsa Rama mbështet Serbinë, Meta mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Megjithatë gjithçka varet nga vetë liderët politikë të Kosovës. Nëse ata nuk do të duan të bëhen pjesë e një Jugosllavie të Re, askush nuk mund t’i detyrojë. Nuk është koha e fillimit të shekullit të XX, kur për shtetet vendosnin Fuqitë e Mëdha, pa i pyetur dhe pa marrë dakordësinë e tyre. Sot ndodhin të njëjtat gjëra si atëherë, por me një ndryshim: Duhen bindur edhe udhëheqësit lokalë për ndryshime të tilla. Nëse nuk binden ata, Fuqitë e Mëdha nuk krijojnë konsensus në vendimmarrje”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.