Radev: RMV nuk ka bërë mjaftueshëm për marrëveshjen!

Presidenti bullgar Rumen Radev, pas mbajtjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë atë që është e nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, prandaj edhe integrimi evropian i Maqedonisë ka ngecur. Radev tha se procesi i negociatave ndërmjet Sofjes dhe Shkupit nuk duhet të përcaktohet me afate, por me realizimin e detyrave të parapara në Marrëveshjen e fqinjësisë, ndërsa theksoi se të drejtat e bullgarëve të Maqedonisë as nuk mund të jenë temë e diskutimit në tavolinën e negociatave.

“Është konstatuar se tash e katër vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Fqinjësinë në vitin 2017, Maqedonia e Veriut nuk ka bërë atë që është e nevojshme për zbatimin e saj, por as nuk ka garantuar përmbushjen e obligimeve të marra. Për të dhënë pëlqimin për fillimin e negociatave për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të lidhet me afate, por me arritjen e rezultateve reale, me theks të veçantë të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Çështja me Bullgarinë është e vendosur edhe në programin e ri qeverisës të mandatarit për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski, cili pohoi se për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë nuk është i fokusuar në data konkrete për zgjidhjen e problemit.

“Ndërtimin e një bashkëpunimi të tillë dhe kthimin e besimit që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët që bazohet në vlera evropiane që do të mbaj dinjitetin e dy shteteve dhe Maqedonia e Veriut përfundimisht të marrë datë për Konferencën e parë ndërqeveritare. Unë asnjëherë nuk jam lidhur për data. Gjithmonë kam qenë optimist racional që beson në zgjidhje, por punon që kjo zgjidhje të realizohet”, tha Dimitar Kovaçevski, mandatar për kryeministër.

Në Bullgari është konfirmuar se Shqipëria mund të nisë negociatat për aderim me BE-në, por presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në “Click Plus” tha se nuk dëshironte që Shqipëria e Maqedonia të ndahen në rrugën drejt BE-së.

“Besoj do të jem shumë shpejtë edhe në Bullgari, për t’i kthyer vizitën presidentit Radev i cili tashmë u rizgjodh dhe për të parë se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim. Qëndrimi im i fundit nuk ka të bëjë me dëshirën për t’u ndarë nga Maqedonia, por me dëshirën që sa më parë Shqipëria të çelë këto negociata dhe dëshirojmë fort që kjo gjë të ndodhë bashkë me Maqedoninë”, Ilir Meta, president i Shqipërisë.

Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, javë më parë tha se nëse në 6 muajt e ardhshëm nuk zgjidhet kontesti maqedono-bullgar, atëherë do të kërkojë që Shqipëria të ndahet nga pakoja me Maqedoninë e Veriut. Sipas ekspertëve për politikë të jashtme, kjo gjë nuk mund të ndodhë, për shkak se politikat për zgjerim vendosen me konsensus mes vendeve anëtare të BE-së, ndërsa një ndarje e tillë e Maqedonisë dhe Shqipërisë do t’i shkonte për shtati vetëm Bullgarisë dhe asnjë shteti tjetër.