“Qytetarë ankohuni zyrtarisht për faturat e rrymës, nuk mjafton t’i ankoheni njëri-tjetrit”!

Qytetarët që besojnë se faturat e energjisë elektrike u vijnë më të fryra sesa shpenzojnë realisht inkurajoohen që të bëjnë ankesë te Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ankesat për këtë çështje janë të mëdha, por tashmë qytetarët ftohen që jo vetëm të ankohen me fjalë tek njëri-tjetri, por pretendimet e tyre t’i drejtojnë tek institucioni, i cili më pas vlerëson nëse janë të bazuara ose jo.

“Komisioni i Ankesave i KRRE-së do të shqyrtojë ankesat e bëra dhe do të japë një vendim. Në të kaluarën kemi pasur ankesa nga konsumatorët se marrin fatura të mëdha të energjisë elektrike për një muaj, ndërsa në muajin tjetër marrin vetëm për ndriçim të rrugës. Ne veprojmë menjëherë sipas këtyre parashtresave. Shpresojmë se do të sigurojmë zgjidhje për problemet e shfaqura”, deklaroi Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit. /SHENJA/