E çuditshme: Pandemia në Britani i ka shtuar rastet e vjedhjes së qenve

Për shumë pronarë të qenve, pandemia e koronavirusit u ka sjellë më shumë kohë në shtëpi dhe rrjedhimisht, më shumë kohë me kafshën e tyre të preferuar.

Megjithatë, kërkesa për qen gjatë izolimit është rritur dhe si duket kjo ka ndikuar që edhe rastet e vjedhjes së tyre të shtohen. Wayne May nga organizata “Dog Lost”, tha: “Ju kam ndihmuar njerëzve që t’i gjejnë kafshët për 30 vjet dhe ky është viti më i rëndë që kam njohur”.

Sipas një hulumtimi të televizionit BBC, mbi dhjetë qendra policore në mbarë Britaninë e Madhe kanë vërejtur rritje të raportimeve për vjedhje të qenve, transmeton Gazeta Express.

Pesë rajone, përfshirë Northumbrian dhe Leicestershiren, pësuan rritje dyshifrore të vjedhjeve të qenve, të raportuara nga janari deri në korrik të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në korrik, zonjës Jessica Palmer iu vodhën pesë këlyshë nga oborri në Leicestershire. Ajo tha se ndihet e shkatërruar dhe vajzës së saj trevjeçe i është thyer zemra.

“E di se ata në fund do të shkonin në shtëpi të reja, por jo kështu. Është vërtet tronditëse për secilin”, tha ajo.