Qeveria: Qëndrimi i Dalibor Kitanoviqit është qëndrim i tij personal dhe i papranueshëm për Qeverinë

Qeveria ka reaguar ndaj qëndrimit të Dalibor Kitanoviqit, duke theksuar se ai është personal dhe i papranueshëm, transmeton TV21.

Nga Qeveria thonë se Ratko Mlladiqi është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga gjykata ndërkombëtare.

Kitanoviqit do t’i kërkohet ta tërheqë qëndrimin e tij, ndërsa nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, pritet të japë dorëheqje nga pozita që ushtron.

Reagimi i plotë i Qeverisë.

“Qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe bazohet në faktet juridike të përcaktuara ndërkombëtarisht. Ratko Mlladiqi është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga gjykata kompetente ndërkombëtare.

Qëndrimi i Dalibor Kitanoviqit është qëndrim i tij personal dhe i papranueshëm për Qeverinë. Qeveria i ndërton qëndrimet e saj në bazë të interesit të shtetit dhe qytetarëve. Pasi një qëndrim i tillë të jetë përcaktuar, ai duhet të respektohet nga të gjithë individët në Qeveri. Vullnetarizmi është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin e tij. Nëse Kitanoviqi nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, presim që ai të tërhiqet nga pozita që ushtron”.