Pse duhet të pritet një vit për uniformat policore në shqip? Sqarohet Kovaçevski

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka sqaruar se pse është lënë hapësira njëvjeçare për përdorimin e uniformave policore edhe në shqip, transmeton TV21.

“Është lënë hapësirë prej një viti për shkak se për uniformat do të duhet proces i tenderimit dhe për prodhim të kësaj pajisje. Për këtë është lënë një vit”, tha Kovaçevski.

Kjo deklaratë vjen pasi Qeveria miratoi Dekret për uniformat dhe simbolet e uniformës së policisë. Ai është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kur sipas nenit 8, paragrafi 3 është vërtetuar se uniformat e policisë në Shkup dhe komunat ku më së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, janë shkruar në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe shkrimin e saj.

Ky Dekret hynë në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit në Gazetën zyrtare të Maqedonisë së Veriut, kurse do të fillojë të zbatohet gjatë një viti nga dita e hyrjes në fuqi./TV21