Pronari i televizionit thotë se Kastriot Myftarajn e kanë vrarë

Gazetari dhe publicisti Kastriot Myftaraj ka ndërruar jetë në moshën 60 vjeçare. Në njoftimin e dhënë për mediat policia bën të ditur se Myftaraj dyshohet se është hedhur nga kati i katërt i banesës ku jetonte në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Mësohet se Myftaraj jetonte me nënën e tij, e cila ndodhej në banesë kur ndodhi ngjarja, rreth orës 12: 30 në lagjen Ali Demi, por nuk dihet nëse e ka parë si ka ndodhur ngjarja.

Ndërsa policia vijon hetimet mbi ngjarjen, pronari i televizionit lokal të Gjirokastrës ALPO RTV Aristotel Petro ka ngritur dyshime të forta se KLastriot Myftaraj mund të jetë vrarë.

“Një lajm i kobshëm për fjalën e lirë po qarkullon këto momente kur po flitet se Gazetari (nga të paktët që mund të quhen të tillë) Kastriot Myftaraj ka bërë vetvrasje duke u hedhur nga kati 4rt i një ndërtese .

Me aq sa e njihnim Kastriotin ai nuk ishte person që mund të bënte vetëvrasje dhe pa asnjë dyshim mund të themi në se lajmi që ka vetëm pak minuta që ka dalë nga ky moment është i vërtetë kuptohet se Kastriotin e kanë vrarë. Kastioti shkruante të vërteta që pak i kuptonin dhe nuk kishte ngjyrime politike ! Në se nuk zhvillohen hetime serioze për këtë krim përgjegjësia më e madhe e këti krimi i bie Qeverisë aktuale në pushtet dhe Kryeministrit Edi Rama ! Një tjetër gjë edhe më e keqe akoma është kur shikojmë komente fyese për të ndjerin ku komentues pa asnjë lloj lidhje me të e fyejnë edhe pse pretendohet se ai nuk është më mes nesh. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur një Penë e lirë shkruan të vërteta për ti hapur sytë këtij populli të shumë vuajtur e të mari pas tëre ato fyerje edhe pse asnjëherë nuk ka fyer asnjë nga komentuesit zemërkatranë ! Për kë duhet të përpiqet e punojë një Gazetar sot ? E kuptoni o njerëz që fatkeqësia juaj jeni vet ju që nuk dini kujt ti kërkoni llogari e kë të mbëshesni me veprimet tuaja? Fatkeqësi dhe humbje për median e lirë për gazetarinë e vërtetë që edhe kështu në shqipëri të tillët janë aq pak sa mund të numërohen me gishtat e një dorë”, shkruan ai.

Myftaraj ka qenë publicist dhe analist në median shqiptare. Prej kohësh Myftaraj drejtonte emisionin “Ju flet Moska”. Emisioni i fundit i gazetarit “Plan për atentat ndaj një pronari mediatik“ ishte më 17 qershor. Prej kësaj date, analisti nuk ishte shfaqur më në ekran. Ngjarjet më të rëndësishme të vendit, ai i lidhte me teori konspirative, çka e bënte që të gjente edhe hapësira në media të ndryshme.