Rreth 3 formave të protestave: trazirave, revolucioneve dhe demonstratave

Shkruan: Arbër ZAIMI

Në vjeshtë të 1968 John Berger shkruante një tekst të rëndësishëm mbi protestat.
Ai bënte dallimin mes tre formave: trazirave, revolucioneve dhe demonstratave.
TRAZIRAT, sipas tij, janë protesta të atypëratyshme (atypëratyshmëria e tyre në relacion të drejtpërdrejtë me dëshpërimin e pjesëmarrësve), karakterizuar nga mllefi spontan. Ato janë pa skenar, pa plan, pa mikrofon, me synime që i pjell çasti: të lirohet ndonjë i burgosur; të thyhen dyqanet e të merret ushqimi a teshat; të dëmtohet prona e ndonjë hajduti me pushtet; të kapet ndonjë kriminel publik.
REVOLUCIONET janë e kundërta e trazirave, atypëratyshmëria është krejt e parëndësishme në to. Ato zhvillohen sipas parimeve të luftës klasike, dhe arma kryesore e tyre është strategjia e jo dhuna, meqenëse nga vetë përkufizimi, revolucionin e bën më i dobëti, ai që në përballje direkte me mjete të dhunës do të humbte automatikisht. Synimi i revolucioneve është aq i gjerë sa që vështirë se mund të përmblidhet në këto fjalë: të marrësh shtetin (ndryshe nga praktikat elektorale që së paku formalisht garantojnë vetëm marrjen e pushtetit).
DEMONSTRATAT, nga ana tjetër, prapë sipas John Bergerit, kanë natyrë thelbësisht simbolike. Ato synojnë të tregojnë mbështetjen masive për një kauzë a parti, apo kundërshtimin masiv ndaj një kauze apo partie tjetër. Demonstrohet një forcë e cila nuk është për t’u përdorur. Trupat e njerëzve paraqiten përballë forcave të rendit në një vend të caktuar, në një orë të caktuar. Demonstratat zakonisht kanë skenar, folës publikë, prijës, organizatorë grupesh, dhe një makineri logjistike të mundimshme mbrapa. Nuk mund të organizosh të tilla thjesht duke menduar se ka ndodhur skandali e njerëzit do vijnë. Skandalizimi apo frymëzimi janë thjesht një element fillestar. Duhet të kesh kultivuar një ndjenjë përgjegjësie politike dhe ndaj kauzës që sot quhet “militantizëm”, duhet të kesh struktura organizative të afta për të ngjallur veprim te njerëzit, por edhe logjistikë, autobusë, ushqim etj. Pse gjithë kjo logjistikë? Demonstratat kryesisht mbahen në kryeqytete, se forca i demonstrohet pushtetit, mirëpo kryeqytetet, sidomos qendra e tyre, banohet nga njerëz të rehatuar me pushtetin, prandaj demonstratat kryesisht bëhen nga njerëz prej periferive.
S’ka asgjë të keqe te demonstratat, pavarësisht se sot mbizotëron mendimi se të mira janë vetëm protestat spontane, pa logjistikë e skenar pas, pra trazirat.
Nëse përdorim kategorizimin e Bergerit, që është mjaft i logjikshëm, protesta e 7 korrikut e Berishës është demonstratë.
Kaq me Bergerin.
Kalojmë te Jean Baudrillard-i. Në vitet ‘80 ai shkruajti disa tekste që i përmblodhi te teksti “Agonia e Pushtetit”. Qysh në fillim ai i bën një spërdredhje Marksit që dikur kishte spërdredhur Hegelin dhe thotë: “Po po, historia kur përsërit vetveten prodhon farsë, po edhe farsa kur përsërit vetveten prodhon histori”.
A jemi ne te ky moment, pas 30 vitesh pluralizmi të sterilizuar nga idetë dhe të plleshëm nga metodat e zhvatjes?
Kalojmë nga Bergeri e Baudrillardi te B-ja e ditës, Saliu ynë. Kush e ngjalli Saliun prej letargjisë politike, teksa ishte duke u pensionuar? Non Grata? Jo. Non Grata mund t’i ketë dhënë vetëm zell personal, po sa për zell personal i kemi televizionet plot me njerëz që çirren përditë plot zell e pasion për tema që variojnë nga ekstrakti i lulemëllagës e deri te aftësia për ta shpjeguar inflacionin pa lexuar (ose duke lexuar autorët neoliberalë, që është e njëjta gjë).
Berishën e ngjalli këmbëngulja në dorëvënie, apo mosdorëheqja e Ramës pavarësisht skandaleve dhe e Bashës pavarësisht humbjeve. Pas zgjedhjeve të fundit, që u fituan nga Rama pavarësisht parregullsive, patronazhimit, tomdoshizimit etj., i vetmi që dha dorëheqje ishte një tjetër B. E kam llafin për Boikenin, që ishte edhe i vetmi që dëshmoi, me aq kapacitet sa patëm, manipulimin dhe vjedhjen e votës. Të tjerët e konsideruan të kotë përpjekjen për të dëshmuar vjedhjet, mbase ishin dorëzuar qysh përpara. E konsideruan po aq të kotë dhe dorëheqjen.
Meqë jemi te dorëheqjet, një tjetër B, Boris turku dha dorëheqje nga kryetar i partisë dhe nga kryeministër. Imagjinoni, ka fituar zgjedhje e referendume, por për shkak të disa lëshimeve etike me moszbatimin e masave të pandemisë i nisi një proces tip “gjyqi” publik, që solli deri te humbja e përkrahjes së ministrave të qeverisë së vet, e kjo pastaj solli dorëheqjen. Imagjinoni dot ndonjë ministër të Ramës të japë dorëheqjen në shenjë proteste si pasojë e korrupsionit fjala vjen me inceneratorët, që po lë nam ditët e fundit? Jo pra jo. Kjo mosdorëheqje, kjo dorëvënie e dorëmbajtje me çdo kusht është farsa e përsëritur e Baudrillard-it, që tek ne është bërë histori.
Aty ku ka skandal pas skandali e nuk ka dorëheqje, ka mejdan. Ka rikthim të “eposit” polarizues, ka edhe potenciale të errëta, por edhe potenciale me dritë, se kurrë nuk i dihet. Ka padiskutim ringjallje të populizmit. Ne nuk na duhet një opozitë e tillë, vajtojnë disa. Nëse nuk na duhet, nëse opozita do të duhej të ishte konstruktive e anti-populiste, atëherë përballë skandaleve të vërtetuara do duhej të praktikohej dorëheqja. Vetëm kështu do të mund të merrte frymë demokracia. Nëse jo, atëherë vijmë te demonstratat dhe praktikat e tilla.
Nëse Rama dhe mosdorëheqësit e tjerë mbyllin, murosin të ardhmen, nuk lënë asnjë dritë, asnjë të çarë, askund, për asnjë shpresë, atëherë s’ka çudi te fakti që shumëkush kërkon të kthehet pas, te e shkuara, me shpresë se që andej do mund të nisë një rrugë tjetër drejt së ardhmes. Ky është, për momentin, kuptimi politik i Berishës. Ai edhe vetë e di se nuk është e ardhmja, maksimumi është pikë prapakthimi për ta tentuar një të ardhme tjetër. Por edhe kjo nuk është gjë e lehtë, aspak. Mund të bëhet realitet vetëm me “ndihmën” vetasgjësuese të atyre që edhe teksa haptazi korruptohen, të tallin e të shajnë me arrogancë nga kolltuqe kryeministrish apo bashkish.
*Teksti eshte marr nga muri ne facebook i Arbër Zaimit