Presidenti malazez me thirrje për drejtësi për kosovarët që ranë në fshatin kufitar gjatë vitit 1999

Presidenti malazez, Jakov Milatoviq, ka kujtuar masakrën që është bërë para 25-vjetëve në fshatin Kaluxherski Laz, që ndodhet në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Në platformën X, ai ka kërkuar drejtësi për të gjithë kosovarët që kishin rënë.

“Krimi në Kaluxherski Laz, i cili ndodhi sot 25 vjet më parë, përfaqëson një kapitull të errët të historisë sonë, i shënuar nga humbja e jetëve të pafajshme, atyre që kërkuan strehim në vendin tonë”.

“Viktimat e meritojnë drejtësinë dhe për këtë arsye u bëj thirrje organeve kompetente që të mos heqin dorë nga vërtetimi i plotë i të vërtetës dhe përgjegjësia e autorëve”.

“Gjithashtu, bëj thirrje për ngritjen e një memoriali dinjitoz që do të nderojë përgjithmonë viktimat, por edhe do të shërbejë si vend mësimi për brezat e ardhshëm”, ka thënë Milatoviq. /Klankosova.tv