Prej sot hapen të gjitha vendkalimet kufitare në shtet

Prej sot janë hapur të gjitha vendkalimet kufitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të dedikuara për komunikacion kufitar ndërkombëtar, me ç’rast kushtet për hyrje dhe dalje të shtetasve tanë dhe të huaj mbeten të pandryshuara, informuan sot nga MPB.

Në pajtim me vendimet dhe masat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MPB-ja sqarojnë se shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të realizojnë dalje të papenguar nga RMV-ja, me ç’rast në vendkalimet kufitare plotësojnë deklaratë, ku thuhet se RMV-ja për shkak të gjendjes me Kovid-19, nuk do të jetë në mundësi që t’u ndihmojë rreth kthimit të tyre.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e lejuar hyrja e shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe të huajve me qëndrim të rregulluar të përkohshëm ose të përhershëm në RMV, me kusht që të njejtit të kenë PCR test valid negativ (i përpunuar nga hunda dhe fyti), por jo më të vjetër se 72 orë nga dita e dhënies së testit, me çka të njejtit marrin Urdhër dhe plotësojnë deklaratë për vetizolim shtëpiak në kohëzgjatje prej 14 ditëve. Në hyrje në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe të huajt, me qëndrim të rregulluar të përkohshëm ose të përhershëm, të cilët nuk kanë PCR test, dërgohen në karantinë të obliguar shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditëve (të njëjtit me transport të organizuar dhe shoqërim të policisë, dërgohen në ndonjë prej objekteve të caktuara paraprakisht)”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Shtetasit e huaj, thuhet në kumtesë, mund të transitojnë nëpër territorin e RMV-së (përmes të gjitha vendkalimeve tokësore), nën çka nënkuptohet hyrje në një vendkalim, dalje në një vendkalim tjetër, me ç’rast kanë obligim që gjatë transitit të mos dalin nga autostrada adekuate ose rruga rajonale dhe transiti të realizohet për më së shumti pesë orë, për çka plotësojnë një deklaratë adekuate.