Portierit të Atalantës nuk i ndahet koronavirusi, pozitiv për të tretën herë radhazi

Sfida e Ligës së Kampionëve mes Atalantës dhe Valencias, e zhvilluar në stadiumin “San Siro” në Milano, u cilësua nga shumë epidemiologë si ‘bomba” që përhapi në masë koronavirusin në Itali dhe Spanjë, dy vende europiane me më shumë të prekur e viktima të kësaj pandemie.

Në kampin e spanjollëve u identifikuan disa të prekur nga Covid-19, ndërsa te skuadra e Atalantës, i pari dhe i vetmi pozitiv ishte portieri Marco Sportiello, që iu nënshtrua tamponit vetëm më datën 24 mars.

Vlen të theksohet se gardiani ka shfaqur simptoma të lehta në ditët e para dhe sipas mjekëve të Atalantës, aktualisht është në gjendje shumë të mirë shëndetësore, por problem mbetet fakti se për të tretën herë me radhë, vijon të rezultojë pozitiv.

Kjo ka bërë që prej plot një muaji, Sportiello të mbetet në karantinë, për të shmangur rrezikun e përhapjes së virusit që ka prekur miliona njerëz në botë dhe u ka marrë jetën mbi 200 mijë personave.