Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca të mërkurën kundërshtoi akuzat e bëra në artikullin e fundit të “New York Times” rreth numrit të vdekjeve nga koronavirusi në Stamboll.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të Bordit Shkencor të koronavirusit, Koca tha se pretendimet në gazetë se Turqia po fsheh numrin e vdekjeve nga koronavirusi janë “trillime të bazuara plotësisht në paragjykimet kundër Turqisë”.
“Ne i kemi dhënë të gjitha informacionet në mënyrë transparente Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ashtu siç kërkohet, dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shtoi Koca.
Artikulli i “New York Times” pretendon se në krahasim me dy vitet e fundit, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve në Stamboll dhe se Turqia ka raportuar numër më të vogël të vdekjeve në qytet nga COVID-19.
Shkrimi më tej pretendon se sipas të dhënave të përpiluara nga regjistrat publik të vdekjeve në Stamboll, ka pasur rreth 2.100 vdekje më shumë në mars dhe prill 2020 krahasuar me të dhënat nga dy vitet e fundit.
Koca tha se njerëzit që duhej të varroseshin në qytetet e tyre të lindjes, u detyruan të varroseshin në Stamboll si masë paraprake mes pandemisë së koronavirusit dhe si rezultat, numrat në disa prej varrezave të qytetit janë më të larta se zakonisht.
Ai theksoi se fokusi kryesor duhet të jetë numri i përgjithshëm i vdekjeve në të gjithë Turqinë dhe jo vetëm në një qytet.
Turqia ka regjistruar më shumë se 98.600 raste me COVID-19 dhe 2.376 të vdekur.
Që nga shfaqja e parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, virusi i njohur zyrtarisht si COVID-19 është përhapur në të gjithë botën.
Më shumë se 2.62 milionë raste janë konfirmuar në të gjithë botën dhe të paktën 183 mijë vdekje me mbi 710 mijë të shëruar.