Pogba këshillohet të shkojë në Juventus: Atje është Ronaldo

Ish-bashkëlojtari i Paul Pogbas në Kombëtaren e Francës, Bacary Sagna, beson se ylli i Manchester Unitedit ka më shumë gjasa të shkojë në Juventus sesa në Real Madrid nëse vendos të largohet nga Old Traffordi në fund të sezonit.

Spekulimet për të ardhmen e mesfushorit të Manchester Unitedit kanë qenë të vazhdueshme që një kohë të gjatë, pasi që agjenti i tij Mino Raiola e pranoi vitin e kaluar se ai dëshiron të largohet nga Djajtë e Kuq.

“Të gjithë brenda klubit, nga pronari e deri te trajneri, i dinë dëshirat e Pogbas. Të gjithë e dinë vullnetin e Pogbas për të ecur përpara. Të gjithë e dinë se çfarë ndien Pogba”, kishte thënë Raiola.

Megjithatë, Pogba mbeti në Manchester United edhe pas afatit kalimtar të verës e edhe pas atij të janarit. Por, ai i ka bërë vetëm tetë paraqitje këtë sezon, pasi që ka pasur probleme me një lëndim në kyçin e këmbës.

Shumë tifozë presin që ai ta kërkojë largimin nga gjiganti anglez sërish kur të hapet afati kalimtar, përderisa Real Madridi mbetet ndër destinacionet favorite të tij për shkak të marëdhënies së tij me trajnerin Zinedine Zidane.

Por, në një intervistë të dhënë për Goal, ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe Manchester Cityt Bacary Sagna, i cili kishte luajtur përkrah Pogbas gjatë viteve 2013-2016 në Kombëtaren e Francës, beson se Pogba do ta zgjedhë Italinë e jo Spanjës nëse vendos të largohet nga Old Traffordi.

“Unë mund ta shohë më shumë Paulin duke u kthyer në Juventus sepse Cristiano Ronaldo është aty dhe sepse Juventusi është klubi që e kishte bërë atë të shkëlqejë”, ka thënë Sagna.

“Ai e dashuron shumë atë klub, tashmë e di këtë gjë edhe ai”.