Van Dijk e emëron Messin si kundërshtarin më të vështirë për ta mbrojtur

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e ka emëruar yllin dhe kapitenin e Barcelonës, Lionel Messin, si kundërshtarin e tij më të vështirë që është dashur ta mbrojë gjatë karrierës.

Virgil Van Dijk u përball me Lionel Messin gjatë fazën gjysmëfinale të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, kur Liverpooli e përmbysi disfatën 3:0 në Camp Nou duke fituar 4:0 në Anfield për ta arritur finalen e Ligës së Kampionëve.

Kishte qenë pikërisht Messi ai që i kishte shënuar dy gola në fitoren me rezultat 3:0 në Spanjë. Messi e kishte shënuar golin e dytë të Barcelonës duke u treguar i saktë pasi një goditje e Luis Suarezit ishte kthyer drejt tij pasi e kishte goditur shtyllën.

Vetëm disa momente më vonë, Messi e kishte shënuar edhe golin e tretë të Barcelonës, që kishte qenë mbresëlënës pasi që argjentinasi e kishte habitur Alissonin me goditjen e tij nga gjuajtja e lirë.

Megjithatë, Barcelona s’arriti ta mbajë epërsinë e krijuar në ndeshjen e parë, përderisa Liverpooli shkoi në fund në finale dhe e mori trofeun pasi e mposhti Tottenhamin në finalen e madhe.

Përkundër që Van Dijku e fitoi atë luftë kundër Messit, ai e ka pranuar se Messi është kundërshtari më i vështirë me të cilin është përballur.

“Ka disa sulmues që janë të vështirë për t’i mbrojtur, por me siguri Leo Messi”, tha Van Dijku, kur u pyet nga një tifoz se cili është kundërshtari më i vështirë për ta mbrojtur.