Përmbytje në Australi, një person e humbi jetën

Një person e humbi jetën në vërshimet në Sidnej, të dielën në shirat ekstreme të cilat e goditën shtetin lindor-australian Uellsi i Ri Jugor, njoftoi policia.

Një burrë i paidentifikuar është gjetur në automobilin e tij në pjesën veriperëndimore të qytetit, thuhet në kumtesën e policisë.

Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor, Gledis Berekxhilian shprehu keqardhje në Parlament, menjëherë pas konferencës për shtyp të mëngjesit në të cilën tha se fakti që deri më tani nuk ka pasur raste të vdekjes në këto vërshime është “çudi e thjeshtë”.

Më shumë se 40.000 persona janë të detyruar që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të cilat shkaktuan vërshime, ndërsa autoritetet sot urdhëruan evakuime të reja për banorët e rajoneve perëndimore të Sidnejit.

Sipas mediave lokale, rreth 24.000 banorë përgjatë gjithë vendit sot ende janë nën urdhër për evakuim, ndërsa 60.000 janë të gatshëm për evakuim për shkak të shirave ekstremë në lindje të vendit.

Kryeministri australian Skot Morison deklaroi se helikopterët do të jenë të gatshëm që të dërgojnë ushqim në supermarkete, ku ka ndërprerje të furnizimit.

Një pjesë e madhe e bregut të shtetit Uellsi i Ri Jugor, ku jetojnë rreth një e treta e popullsisë së përgjithshme 25 milionëshe në Australi, ishte goditur nga reshjet rekorde të shiut në mars.