Zgjedhjet në Izrael: Netanyahu nuk arrin shumicën e votave

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu sipas sondazheve parashikohet se nuk do të sigurojë vendet e nevojshme për të formuar një qeveri të re në zgjedhjet e katërta të Izraelit në dy vjetët e fundit.

Partia e Netanyahu dhe aleatët e saj parashikohet të fitojnë 52 ose 53 vende nga 120.

Partitë që kundërshtojnë qëndrimin e kryeministrit në detyrë duket se do të fitojnë 60 vende, transmeton TV21.

Kjo do të thotë që edhe me mbështetjen e partisë nacionaliste Yamina, Netanyahu nuk do të ketë shumicën.

Yamina, e udhëhequr nga ish-besniku i Netanyahut, Naftali Bennett, parashikohet të fitojë shtatë vende, por nuk ka deklaruar qartë se cilën anë do të mbështesë.

Komiteti Qendror i Zgjedhjeve të Izraelit nuk pret që të gjitha votat të numërohen përpara të mërkurës pasdite për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirusin.

Netanyahu falënderoi mbështetësit e tij në një postim në Twitter të martën vonë.

Ndërkohë lideri kryesor i opozitës, Yair Lapid, partia qendrore e të cilit Yesh Atid parashikohet të fitojë midis 16 dhe 18 vende në Knesset, tha se ai ishte “krenar” për arritjen “e madhe” të partisë së tij.

Kryeministri 71-vjeçar ka qenë në pushtet vazhdimisht që nga viti 2009, pasi kishte shërbyer një mandat tre vjeçar në fund të viteve 1990./21Media