“Përgjigjja jonë do të jetë vdekjeprurëse”, Aleksandër Vuçiq tregon dy vendet që po qëndrojnë prapa Albin Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se ka pranuar kërkesa të reja nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me Kosovën. Këto kërkesa, ai tha se ia ka sjell emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, që pas tri ditësh qëndrim në Kosovë, të mërkurën pasdite u nis për Beograd.

Vuçiqi këtë e lidhi me vendimet e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim dhe për mundësinë e fundit dhënë serbëve që kanë vetura me targa të Serbisë, por në emër të qyteteve të Kosovës.

Vuçiqi tha se gjithë kjo është përgatitje për një “Stuhi tjetër”, duke iu referuar aksionit të Kroacisë më 1995, kur ky vend çliroi një pjesë të territorit që mbahej nga forcat serbe. Serbia pretendon se më këtë aksion u vranë qindra serbë e u dëbuan mbi 200 mijë të tjerë.

“Ata (udhëheësit e Kosovës v.j.) morën dy vendime në institucionet e tyre të përkohshme. Njëri ka të bëjë me ndalimin e hyrjes me karta të identitetit në provincë dhe tjetri është një vendim me qëllimin e vetëm për të dëbuar serbët nga veriu, për të krijuar një stuhi të re. Për vite kanë bërë fushatë për t’i detyruar serbët të pranojnë targat e tyre”, tha ai, përcjell “B92”. “Dhanë një afat, Prishtina planifikon sulm të përgjithshëm më 1 tetor në veri. Dhe populli duhet ta dijë këtë”.

Për këto vendime, ai fajësoi Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë.

“Këto vende i mbështesin”, shtoi ai.

Për SHBA-në, tha se është më pak arrogantja në mesin e vendeve të Quintit, ku bëjnë pjesë edhe Britania, Gjermania, Franca e Italia.

Presidenti serb gjatë fjalimit që mbajti në një televizion në Serbi për këtë temë, edhe kërcënoi.

“Përgjigjja jonë do të jetë e matur, por vdekjeprurëse dhe e vërtetë”, tha ai.