Fuga: Pse s’na përfaqëson Presidenti në NATO, kreu i Ushtrisë?! Ç’punë kanë kryeministrat?

Nga Artan Fuga

Pse i dorëzojnë falas kompetencat magjistratët tanë?! Dje u bë takimi i NATO-s. Në fakt, hyrja e Shqipërisë në NATO para një dekade e gjysmë ishte një arritje madhe jo thjesht e Partisë demokratike që qeveriste në atë kohë, por e shtetit dhe e kombit! Fitore e madhe e shqiptarëve!

Filmime nga dje sigurisht u dhanë t’i shohim ne qytetarët dhe të reflektojmë. Edhe unë bëra reflektimin tim.

Nuk kuptoj se përse Presidenti i Republikës nuk ishte ai që na përfaqësonte atje. Ose të paktën të ishte edhe ai! Sepse atij i takon, po nuk shkoi – nuk bën detyrën. Ai është kryetari i shtetit, ai është nënshkruesi i traktave ndërkombëtare dhe i marrëveshjeve, ai është komandant i ushtrisë! Se kryeministrat nuk kanë punë me sigurinë e jashtme ushtarake të vendit. Eshtë mbi ta si mision kryesor. Ka mbi ta që e kanë detyrim. Ata zbatojnë politika konkrete për ta kryer në terren, por nuk e përfaqësojnë, nuk e kanë si detyrë kushtetuese!

Kryeministrat pastaj e përdorin për propagandë sepse janë kryetarë forcash politike. Kurse atje është çështje mbipartiake.

Zaten kështu e kanë pasur sundimtarët në Shqipëri, kap të fortin e jashtëm për ta përdor për pushtet politik brenda vendit! Që nga koha e pashallarëve blu pastaj të kuq! Kaq e thjeshtë. Por, nuk kuptoj se përse Presidentët, deputetët, kryetarët e bashkive, nëpunësit lënë mënjanë detyrime të tyre dhe ua falin të tjerëve kompetencat që kanë!

Nuk e kuptoj vërtet! Ja këtë mendoja duke parë filmimet te TV Propaganda Fide!

© SYRI.net