Për pesë muaj tetovarët kanë paguar 73 mijë euro dënime për maskat

Në periudhën prej pesë muajve tetovarët kanë paguar më shumë se 70 mijë euro gjoba për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse. Singa një maji i vitit 2020 kur hyri në fuqi dekreti qeveritar për mbajtje të detyrueshme të maskave mbrojtëse në fytyrë për pengim të përhapjes së Koronavirusit, deri tani, në Tetovë me rrethinë janë shqiptuar 3.676 dënime, njoftuan sot nga SPB Tetovë. Të gjithë qytetarët që kanë marë gjoba të tilla kanë paguar nga 20 euro, ose në total 73.520 euro.
Policia e Tetovës gjatë kësaj jave dukshëm ka shtuar kontrollet që kanë të bëjnë me mbajtje të maskave nëpër vetura, furgonë për udhëtarë dhe autobusë, transmeton Gazeta Lajm.
MPB njofton shoferët që tu përmbahen strikt rregullave dhe të mos lejojnë persona pa maska mbrojtëse, se përndryshe do të përjashtohen nga trafiku dhe do të gjobiten jo vetëm personat fizikë por edhe kompanitë, thuhet në njoftimin e SPB.
Sipas këtij njoftimi, vetëm në 24 orët e fundit në Tetovë janë dënuar 34 persona për mosmbajtje të maskave.