Alta Banka sërish në Kuvend, LSDM kërkon interpelancë për Sllaveskin

Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot do të vazhdojë seancën mbikëqyrëse për vendosjen e administrimit në Alta Banka – Bitola, veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësinë institucionale.

Në ndërkohë, deputetët e LSDM-së kanë dorëzuar interpelancë për guvernatorin Trajko Sllaveski, duke kërkuar përgjegjësi për veprimet lidhur me hyrjen e Alta Bankës nga Beogradi në ish-Sparkasse Banka – Bitola. Ata kanë ngritur pikëpyetje për verifikimin e investitorit, origjinën e kapitalit, rreziqet për depozituesit dhe kriteret për emërimet në organet e bankës.

Sllaveski ka deklaruar se banka është financiarisht stabile, me kapitalizim prej afro 26 për qind dhe kredi jofunksionale prej 2,9 për qind, ndërsa administrimi i përkohshëm, sipas tij, synon ruajtjen e stabilitetit deri në gjetjen e pronarit të ri.

Paralelisht, po zhvillohet procedura për shitjen e 95,336 për qind të aksioneve të bankës përmes Bursës së Maqedonisë. Ankandi i parë është caktuar për 30 nëntor, me çmim fillestar prej 3.777 denarësh për aksion, ndërsa në rast të dështimit do të pasojnë ankande të tjera me ulje prej 10 për qind të çmimit.

Në rast është përfshirë edhe Prokuroria Publike, por deri më tani nuk është konfirmuar nëse është hapur procedurë parahetimore.