Hajredini: Grubi po i përsërit premtimet e rrejshme të Musa Xhaferit të vjetra më shumë se 10 vite

Albert Hajredini

Vendosja e një figure antipatike për elektoratin shqiptar në postin më të rëndësishëm të BDI-së në ekzekutiv, siç është Artan Grubi, ndoshta dëshpëroi shumë shqiptarë, por tek unë fillimisht ngjalli një fije shprese se kjo parti tani e ka ndërmend t’i merr punët më seriozisht. Kalkulimi im ishte se BDI duhet të punojë dhjetëfish më shumë se deri tani, për të riparuar dëmin që e shkaktoi fillimisht Ali Ahmeti me gënjeshtrën e madhe dhe naive për Naser Zyberin si kryeministër shqiptar dhe me emërimin e një figurë antipatike (me të drejtë, apo pa të drejtë) si Artan Grubi, në postin më të rëndësishëm në ekzekutiv.
Mirëpo sinjalet fillestare janë dëshëpruese. Në paraqitjet e para në opinion si zëvendës kryeministër i parë (që nuk ka asnjë kompetencë më shumë se zëvendës kryeministrat tjerë, përveç se ndoshta të nënshkruaj licencat pëë kazinot e Mijallkovit si Bujar Osmani), Artan Grubi nuk jep shpresa se BDI ka ndërmend më në fund të reflektojë dhe të fillojë të punojë për ata prej të cilëve e mer votën.
Ai nuk jep as shpresë se BDI do të ndalet te gënjeshtra për kryeministrin e parë shqiptar Naser Zyberin, por se ka ndërmend të vazhdojë me gënjeshtra edhe më tutje. I gjithë opinioni e din problemin e mosndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, Artan Grubi del thotë se në këtë rrugë po punohet. Madje bën edhe parashikimin e çuditshëm se aty do të udhëtojnë Sela, Gashi e Kasami, thuajse Ali Ahmeti nuk do të ketë “ymër” për ta pritur ndërtimin e kësaj autostrade!
Mes tjerash përsërit edhe premtimin e vjetër 10 vite të Musa Xhaferit, se shteti do të stimulojë kompanitë private që të punësojnë shqiptarë dhe përfaqësues të bashkësive tjera joshumicë. Sa nënçmuese për elektoratin! Ashtu siç u tregua i rrejshëm ky premtim para 10 viteve, ashtu do të tregohet i rrejshme dhe tani. Qëllimi i këtij premtimit para 10 viteve ishte të defokusohet opinionin nga paaftësia e BDI-së pë të realizuar përfaqësimin adekuat të shqiptarëve ashtu siç parasheh Kushtetuta dhe ligji, me një premtim (për përfaqësim adekuat në kompanitë private) që nuk e parasheh as Kushtetuta, as ligji, e që u demantua menjëherë edhe nga kryeministri. Është evidente se BDI, shkaku i shumë incizimeve, aferave, skandaleve, nuk ka kapacitet të realizojë përfaqësimin 25 për qind të shqiptarëve në institucionet shtetërore, tani hap tema tjera për “muhabet”. Dy tre javë një “muhabet”, dy tre javë një tjetër, dhe kështu vijnë zgjedhjet. E BDI sillet sikur dikush të ju ketë premtuar- nuk keni nevojë të bëni asgjë për shqiptarët, sepse nuk vareni më nga votat e tyre. Ne ua sigurojmë fitoren në zgjedhje, nëse kërkon nevoja edhe duke e hakuar (rrëzuar) ueb faqen e Komisionit Zgjedhor.