Pema e vdekjes

SHAZIM MEHMETI
(tregim i përfshirë në antologjinë e tregimit ballkanik në gjuhën greke, 2020)
Plakut, kishte kohë që i kishte vajtur mendja për një kokërr dardhë, por nuk ia kishte
thënë së shoqes. As nuk do t’ia thoshte kurrë.
Pleqëria është më e keqe se varfëria: plakun nuk e mbanin këmbët; të shoqen, me të
cilën jetonin vetëm, këmbët e mbanin disi, por jo deri në atë masë sa për të dalur diku larg;
këmbët e së shoqes, edhe trupi, edhe krahët, mezi bënin aq, sa për t’i mbajtur gjallë shpirtërat e të dyve.
Kur zbardhi mëngjesi i së dielës, plakut, e shoqja i serviri një çaj bliri. I vuri përpara
edhe dy petëza buke, të lyera me gjalp. Plaku i hëngri të dy copat e bukës. E piu edhe çajin.
Hëngri e piu edhe e shoqja.
Atë ditë, mëngjesi qëlloi i ngrohtë e i bukur. Plaku e vuri re këtë favor, dhe i tha së shoqes:
– Dua të dal n’oborr!
Plaka miratoi. Ia lëmoi qimet e pakta e të bardha të flokëve, që i preheshin mbi tullac
e mbi ballin e rrudhur, dhe ia vuri krahët trupit të këputur. Ngadalë, ngadalë, e nxori jashtë,
dhe e vuri në ulësen e drunjtë, që e mbanin gjithnjë përpara hyrjes së shtëpisë, aty diku, në të thatë.
Trupi i plakut u rehatua mbi ulëse. Përkrah tij, e shoqja ia lëmonte dorën. Plaku, ngadalshëm, e vështronte oborrin, kur, n’çast, sytë e tij të lodhur u ndalën mbi një filiz dardhe, mu në mes t’oborrit.
Zemra e tij brofulloi. I brofulluan edhe kapakët e syve:
-Pa shiko, moj grua… – i tha së shoqes, gjithë gëzim, – Në mes të oborrit, na ka mbirë
një filiz dardhe.
E shoqja, ia shtrëngoi dorën, i hodhi sytë tutje mbi oborr, e vëzhgoi oborrin mirë e
mirë e pëllëmbë për pëllëmbë, por, sytë e saj nuk panë, aty pari, asfarë filizi, asfarë dardhe.
“Pleqëria është e çuditshme…” tha vetëmevete ajo, por plakut nuk ia prishi: atij ia pohoi “mbirjen e dardhës”.
Si gjithë ditët tjera, kaloi edhe ajo ditë….
Të nesërmen, pasi e bënë ritualin e përditshëm të ngrënies së mëngjesit, me kërkesën e plakut, plaka mblodhi forcat, dhe e nxori atë, e, e vendosi aty jashtë, ku e vendoste përditë.
Plaku, edhe kësaj here u rehatua mirë, dhe pa humbur kohë, e hodhi shikimin, drejt pikës së
oborrit, ku, një ditë më parë, kishte mbirë filizi i dardhës.
Por, tashmë, në pikën përkatëse, sytë e tij, nuk e panë atë filizin e vogël të posambirë të dardhës, por panë atje, një pemë dardhe, të rritur fort, e që kishte lëshuar degët anë më anë. Dhe, në degët e shtrira, ai i shihte, tashmë, edhe kokrrat e dardhës që kishin filluar të rriten.
– Paaah! – u bë gjithë gëzim, ajo zemër e plakut, dhe i bëri zë së shoqes:
– Pa shih, pa shih… – i tha, – …sa është rritur dardha jonë. Ka lëshuar krahët. Degët i ka përplot me fruta…
Dyshimtare, natyrisht, gruaja e vuri buzën në gaz, dhe sërish s’ia prishi plakut. Përkundrazi, ajo ia pohoi thënien. Por, ajo e shihte boshësinë e oborrit ku s’kishte asfarë peme, asfarë degësh e asfarë frutash: ajo shihte në oborr, të vërtetën, atë shkretëtirën e vërtetë, që ishte e njëjtë me shkretëtirën pleqërore në zemrën e saj.
Atë ditë, dy pleqtë, qëndruan edhe për ca kohë aty jashtë: plaku, me sytë e përqëndruar te pika e oborrit ku i rritej pema e dardhës, dhe plaka, me sytë përdhé.
Ca çaste më pas, era e lehtë, u dha krahë dy pleqve, dhe i futi brenda…
Një ditë më pas, pasi e bënë, si gjithnjë, ritualin e ngrënies së mëngjesit, plaka mblodhi krahët, dhe e nxori të shoqin, aty ku e nxirte përditë, kur bënte kohë me diell.
Kësaj here, sytë e plakut nxituan ta hedhin shikimin drejt pikës së oborrit ku i rritej dardha. Dhe, zemra e plakut, u mbush sërish me gëzim:
– Pa shih, pa shih… – i tha së shoqes, – është pjekur dardha. Kokrrat i janë bërë të verdha deng, dhe faqet e kokrrave janë krejt të kuqe…
Teksa e dëgjonte të shoqin, duke folur si vetëmevete, e teksa i përgjigjej atij duke pohuar me kokë, plaka mendoi: “Eh, pleqëria…”
Kësaj here, plaku qe vërtet zemërgufuar. Ai i thirri, gjithë gëzim, së shoqes, sërish:
– Merrmë, – i tha, – dhe vendosmë në një ulëse, aty, përfund dardhës! Sot, dua ta shijoj
hijen e saj…
Plaka u mëdysh, por nuk ia prishi plakut (me gjithë frikën që i vinte nga dielli që ishte tepër i fortë). Kështu, ajo mori një ulëse tjetër, dhe e vendosi në mes të oborrit, mu aty ku e drejtonte plaku gishtin. Më pas, ia vuri krahët plakut, dhe çap e çap, ngadalë, e vendosi atë,
mu aty ku atij i deshi zemra.
–Rrofsh, o grua. – i këndoi zemra plakut, – më lër, tashti, ta kënaq veten nën këtë hije dardhe!…
Gjithë frikë (sepse dielli i asaj dite, ishte vërtet tepër i fortë), gruaja, iku brenda, shpinëkërrusur, për të kërkuar një gotë ujë.
Atë ditë, nga sipër, kupa e qiellit nxehte si saç, por plaku nuk e ndiente fare zagushinë. Sytë e tij, ngritur pip përpjetë, shkonin kokërr më kokërr, mbi kokrrat e dardhave, deri sa u ndalën mbi më të pjekurën kokërr. Ato qenë çastet, kur gjithë pleqëria iu zhbë, dhe krahu i tij i djathtë lëvizi dhe u zgjat. Sipër atij krahu, që, me një hir rinor zgjatej e zgjatej, dora e tij u hap, e këputi kokrrën dhe ia drejtoi gojës. Goja që u përlëng, u hap gjithë afsh, dhe e kafshoi frutin…
Pas ca minutash, me një gotë uji në dorë, plaka doli nga shtëpia. Ajo shkoi drejt plakut për t’ia lagur paksa buzët, por me një të shikuar në sytë e tij, e pa, brenda atyre syve, gjithë të bardhën e réve të vdekjes. Sytë, hapur, përhumbur – plakut, goja i kishte mbetur
hapur. Mbi buzën e poshtme, varur i rrinte, peng, dora e tij e djathtë. E poshtë goje, mbi fijet e bardha të mjekrës së dendur, një lëng i verdhë i pikte mbi qafë. Plaka, ngjyu gishtat në atë lëng mjekre, dhe e provoi me gjuhë: dhe vërtet, lëng dardhe ishte ai lëng !!!
Ato çaste, plaka, i ngriti përpjetë sytë që iu përlotën, dhe pa përmbi veten e përmbi plakun, jo pemën, por kupën e shkretë të qiellit, ku s’kishte as dardha as ré. Me kokën mbështetur mbi gjunjtë e ftohur të burrit, ajo qau me ngashërimë. Qau, dhe e ndjeu trokitjen, që vetmia ia bënte pleqërisë.
(Ç’ti bësh: ka njerëz, që, në çastin e vdekjes, Perëndia i shpërblen me dëshirën e fundit…)