Pas zgjedhjeve, Çairi dhe Tetova futen në karantinë?!

Meqë numri i të infektuarve me Covid 19 dita ditës vazhdon të rritet në Maqedoninë e Veriut, pas zgjedhjeve të mëdha janë gjasat që të kthehen masat restriktive, ndoshta edhe në formë më të ashpër.
Sipas burimeve mirë të informuara, ka gjasë që disa komuna ku ka numër më të madh të infektuarve, të izolohen plotësisht. Në rend të parë do të jenë Çairi dhe Tetova, si komuna më të goditura, por ndoshta edhe mbarë Shkupi si qytet.

Ndryshe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në cilësinë e Koordinatorit kryesor të shtabeve kundër Covid 19, si duket u ngut pak kur para një muaji e tepër në një farë mënyrë shpalli fundin e epidemisë duke falënderuar qytetarët.
“Të nderuar qytetarë, dua t’ju falënderoi për vetëdijen e lartë dhe për respektimin e masave kufizuese. Me këtë ju ishit dora e djathtë e punonjësve shëndetësorë. Kishte disa lëshime dhe kritika ndaj nesh në raport me zbatimin e masave, por dua të them se ky rrezik ishte i panjohur. Nuk ishte e lehtë as për Qeverinë, as për qytetarët të t’i ndërrojnë shprehtë e tyre”, pat deklaruar më 27 maj Osmani. Pas përkeqësimit të gjendjes me Covid 19, ai nuk po paraqitet shpesh në mediume në cilësinë e koordinatorit, siç paraqitej më herët.