Pas Rene Rexhepit, Faruk Neziri shqiptari i dytë në Reporter Gourmet (Video)

Reporter Gourmet është ndër mediumet më prestigjioze botërore në sferën e gastronomisë. Kurse bashkëatdhetari ynë nga Çegrani i Gostivarit, maestro Faruk Neziri, është bë shqiptari i dytë pas Rene Rexhepit, që ky medium i ka kushtuar hapësirën e vetë. Në kronikën speciale, Reporter Gourmet i jep vlerësimet më të mira jo vetëm për maestro Nezirin, por edhe për restorantin e tij “Il Gelso Nero” në Castelluchi të Italisë. Neziri është një emër me të cilin krenohen shqiptarët, kurse fama e tij moti kohë ka tejkaluar edhe kufijtë tanë. Hapësirën në Reporter Gourmet ai e ka merituar me një specialitet të ri gastronomik, që është vazhdim i konceptit të tij për fuzionim. “Kuzhina “fusion” është një kuzhinë ku marrin pjesë shumë kultura dhe shumë përbërës. Përbërësit duhet të qëndrojnë mirë në pjatë, duhet të “martohen” mirë me njëri-tjetrin. Receta duhet të ketë ekuilibër në dy aspekte: në pamje dhe në shije. Natyrisht nuk është e lehtë, por është shumë e shijshme. Nëpërmjet kuzhinës dhe artit që praktikoj, besoj se ju fal emocione të tjerëve”, thotë Neziri, dukshëm i lumtur nga ky sukses i ri që ka arritur.