Qyteti i Shkupit ua ka mbyllur derën inspektorëve të Inspektoratit të Gjuhëve

Inspektorët e Inspektoratit të Gjuhëve nuk janë pranuar nga Qyteti i Shkupit për të kryer inspektim të jashtëzakonshëm lidhur me dy iniciativat për mosrespektimin e gjuhës shqipe në tabelën e megaparkut “Oaza”. Inspektori Fitim Ramadani në një deklaratë për Alsat, theksoi se fillimisht ata janë drejtuar në Komunën e Butelit, por se ata janë deklaruar se kompetent është Qyteti i Shkupit.

Por, pavarësisht se inspektimet e jashtëzakonshme kryhen pa paralajmërim, nga Qyteti i Shkupit u është kërkuar që para inspektimit t’i informojnë me shkrim.

“Nga ana e përfaqësuesve të Qytetit të Shkupit nuk jemi pranuar ne si inspektorë për shkak se ato nuk kanë qenë të informuar. Gjegjësisht Ligji për Mbikëqyrje Inspektuese gjatë mbikëqyrjeve të jashtëzakonshme, nuk parasheh që institucioni të jetë i informuar dhe nga ana e përfaqësuesve të Qytetit të Shkupit ne nuk kemi pranuar, për shkak se ata kërkojnë njoftim me shkrim nga e Inspektoratit. Të njëjtin njoftim e kemi përgatitur dhe do ta dorëzojmë”, deklaroi Fitim Ramadani, Inspektor.

Drejtori i Inspektoratit, Arsim Idrizi thekson se me mosvendosjen e tabelës në dy gjuhë është shkelur Ligji i Gjuhëve.

“Aty ku ka më shumë se 20% popullatë të ndryshme nga maqedonasit edhe aty duhet të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve që do të thotë ajo tabelë duhet të jetë në dy gjuhë”, tha Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.

Inspektorati paralajmëron se do t’i shqiptojë masë inspektuese vërejtje Qytetit të Shkupit, me afat 30 ditor për ta korrigjuar tabelën. Në rast se nuk e vendosin tabelën edhe në shqip, atëherë lëndën do ta dorëzojnë në Gjykatë.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Qyteti i Shkupit, megjithatë deri në publikimin e kronikës nuk morëm përgjigje.

Rastin në Inspektorat, javën e kaluar e denoncuan përfaqësuesit e VLEN-it dhe BDI-së./Alsat.mk.