Mashtruesit shfrytëzojnë GTA VI për të vjedhur para dhe të dhëna nga lojtarët

Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se mashtruesit po shfrytëzojnë interesimin e madh për videolojën e shumëpritur GTA VI, për të vjedhur para, të dhëna personale dhe informacione të kartelave bankare të lojtarëve.

Sipas raportimeve, janë krijuar dyqane të rreme online që ofrojnë versione ekskluzive të lojës dhe premtojnë qasje para publikimit zyrtar.

Kompania e sigurisë kibernetike Kaspersky ka identifikuar rreth 200 domene të dyshimta të lidhura me GTA VI, të regjistruara brenda vetëm 24 orëve. Rreth 10 për qind e tyre janë vlerësuar si veçanërisht të rrezikshme.

Disa faqe ofrojnë shkarkimin e një skedari të quajtur „GTA VI.exe“, i cili në të vërtetë përmban programe keqdashëse që vjedhin të dhënat e përdoruesve, përfshirë fjalëkalimet dhe qasjen në kuletat e kriptomonedhave.

Mashtruesit ofrojnë edhe kode aktivizimi falas, por kërkojnë pagesa në kriptovaluta për shpenzime të pretenduara të përpunimit.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për oferta të rreme të versionit mobil të GTA VI, ndonëse kompania Rockstar Games nuk ka njoftuar publikimin e lojës për Android dhe iOS.

Sipas vlerësimeve të kompanisë Newzoo, GTA VI mund të realizojë shitje nga 3,3 deri në 5,2 miliardë dollarë vetëm gjatë javës së parë pas publikimit.

Apeli i ekspertëve: Shmangni faqet e panjohura, shkarkimet jozyrtare dhe ofertat që premtojnë qasje të parakohshme në lojë.