Paralajmërohet aplikimi i Kosovës për anëtarsim në NATO

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla pret që interesimi i institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO të konkretizohet sa më parë dhe të marrë mbështetje të mekanizmave ndërkombëtar. Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është i nevojshëm dhe shton se Forca do të arrijë të përfundojë planin e transformimit në ushtri me kapacitete të plota më herët nga se është paraparë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe zhvillimeve rreth sigurisë në Evropë, institucionet e Kosovës janë treguar shumë të zëshme rreth nevojës që shteti të bëhet sa më parë anëtar i NATO-s.

Numri dy në Ministrinë e Mbrojtjes thotë se gjasat janë reale që të hartohet kërkesa zyrtare për aplikim por nuk ka dhënë detaje.

“Është një vullnet i jashtëzakonshëm, është një zë i ngritur, i artikuluar dhe besoj që ky zë do të shkojë në vendin e duhur për t’u bërë realitet një synim i joni i kahershëm…Ky (aplikimi për anëtarësim në NATO) është proces politik që qeveria me mekanizmin e vet ka bërë të mundshëm të lëvizë mekanizmi dhe kemi një inkurajim nga shtetet e tjera të cilat gjithnjë po na mbështesin në këtë drejtim. Besoj dhe shpresoj që kjo nismë do të jetë me rezultat… Edhe Kuvendi, edhe instancat e tjera janë në këtë dinamizëm për t’i shtuar sa më shumë këtij zëri dhe për ta bërë një ditë të artikulueshëm por edhe të arrijë aty ku duhet, mekanizmi ndërkombëtar ta shoh se është e nevojshme dhe është kërkesë legjitime e jona që të bëhet realitet”, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes për KP.

Përmes një rezolute, edhe Kuvendi i Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për aplikim për anëtarësim në NATO.

Autoritetet në Kosovës e kanë cilësuar domosdoshmëri anëtarësimin në NATO, pas situatës së ndjeshme të sigurisë që rrjedh nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.

Megjithatë, zëvendësministri i mbrojtjes thotë se Kosova është e sigurt dhe po shkon në drejtimin e duhur.

“Ne jemi të sigurt dhe jemi duke shkuar rrugës së sigurt, gjithë potencialin tonë edhe të dijës, edhe të formave dhe mënyrave të tjera jemi duke i vënë në shërbim të ngritjes së kapaciteteve, në shërbim të shkollimit, të trajnimit, të stërvitjes, të plotësimit të kapaciteteve të gjithave që i nevojiten një ushtrie. Edhe infrastruktura, edhe plotësimi me mjete, me pajisje, edhe personelin. Jemi duke punuar natë e ditë për ta kompletuar, për ta bërë të aftë që nesër të jemi të gatshëm, që ne të jemi të sigurt dhe amanetin e dëshmorëve, mundin, sakrificën ta çojmë në vend”, thotë Syla.

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht është në proces të transformimit në ushtri, proces ky i cili zyrtarisht ka nisur në janar të vitit 2019.

Është thënë se Forcës i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Megjithatë, zëvendësministri i Mbrojtjes shprehet optimist se transformimi do të përmbyllet shumë më herët nga se është paraparë.

“Plani i tranzicionit është më i gjatë por ne jemi shumë afër plotësimit të atyre kapaciteteve. Ne shpresojmë që paraprakisht ne do ta plotësojmë dhe nuk do të presin deri në ato vite kur janë bukur të gjata, sepse me buxhetin e rritur, me kapacitetet tona, me vullnetin tonë, me dinamizmin që kemi shtuar, ne jemi të bindur se do ta plotësojmë shumë më herët sesa që është i paraparë”, thotë Syla.