Pandemia “godet” çiftet, më pak martesa dhe më shumë divorce gjatë 2020-s

Pandemia me Covid-19 dhe masat për mbrojtje si duket kanë ndikuar mjaft te martesat dhe divorcet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së drejtësisë kemi rënie në numrin e kurorëzimeve.

Në vitin 2020 janë bërë vetëm 9200 kurorëzimi, ndërsa në vitin 2019 kemi pasur 13.814 kurorëzime. Nga ana tjetër, numri i shkurorëzimeve në Maqedoninë e Veriut është rritur dukshëm. Në vitin 2020 janë evidentuar 2284 shkurorëzime, që paraqet rritje prej 14,7%, krahasuar me vitin 2019.

Psikologia Vala Adili tregon se pse kohëve të fundit divorcet janë shpeshtuar.

Unë mendoj se ka nevojë për divorcin të flitet edhe më ndryshe, ndoshta duhet të flitet për divorcin edhe si formë e jetesës, ka ardhur koha kur divorci nuk duhet të shihet si patologji e martesës, duhet të shihet a është e rëndësishme aq shumë martesa. Aq shumë gjëra janë transformuar, pse mos transformohet edhe martesa, kanë ndryshuar shumë gjëra kanë marr formën e duhur”, vlerëson psikologja Vala Adili.

Situata paraqitet më ndryshe në qytetin e Kërçovës, ku kemi pasur ulje të numrit të divorceve gjatë vitit 2020. Nga Qendra sociale thonë se, si pasojë e Covid-19, mërgimtarët nuk kanë mundur të vijnë në vendlindje për të kryer procedurat, andaj shkurorëzimet kanë mbetur pezull.

“Gjatë vitit 2020 në Qendrën sociale janë pranuar 46 kërkesa përmes Gjykatës së Kërçovës për shkurorëzim dhe për kujdestarinë e fëmijëve. Ky numër është më i ulët në krahasim me vitin 2019, ku kishim të evidentuara 68 raste shkurorëzimi. Kjo rënie e numrit të shkurorëzimeve vjen si pasojë e pandemisë Covid-19 e cila është ende prezentë, sepse mërgimtarët tanë nuk kanë mund të vijnë në vendlindje e tyre për të kryer procedurat e tyre”, njoftojnë nga Qendra për Punë Sociale në Kërçovë.

Nga Qendra për punë sociale në Kërçovë, thonë se vetëm gjatë 6 javëve të para të vitit 2021, janë bërë 9 kërkesa shkurorëzimi./Tv21