Pakistani kundërshton vendosjen e bazës ushtarake amerikane në tokën e tij

Pakistani përjashtoi mundësinë e lejimit të hapjes apo të menaxhimit të bazës ushtarake amerikane për të kryer operacione dronësh brenda Afganistanit fqinj nga territori i tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmood Qureshi, i tha Senatit, apo dhomës së sipërme të parlamentit, se nuk ka marrëveshje të tilla me Washington-in, aleatin e vjetër të Islamabadit në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit.

“Le të jetë kjo Shtëpi dhe kombi pakistanez dëshmitarë të dëshmisë time se nën Kryeministrin Imran Khan, nuk do të ketë asnjë bazë amerikane në tokën pakistaneze”, tha Qureshi.

Duke iu referuar raporteve për ngritjen e një baze amerikane në Pakistan gjatë Luftës së Ftohtë kundër ish-Bashkimit Sovjetik, ministri Qureshi tha: “Harrojeni të kaluarën”.

“Ne nuk do të lejojmë përdorimin kinetik të dronëve, as nuk jemi të interesuar të monitorojmë dronët tuaj. Kjo është një politikë shumë e qartë e kësaj qeverie”, tha kryediplomati pakistanez.

Deklarata erdhi mes raporteve se të dy aleatët po negociojnë një zgjidhje të re për të lehtësuar operacionet e ardhshme antiterroriste të SHBA-së në Afganistanin e shkatërruar nga lufta pas tërheqjes së trupave të huaja në përputhje me marrëveshjen e paqes me talebanët në Doha 2020.

Qureshi i cilësoi raportet “të pabaza” dhe “spekulative”.

Deklarata e tij erdhi një ditë pasi i dërguari special i Rusisë për Afganistanin, Zamir Kabulov, tha se fqinjët e Azisë Qendrore, Taxhikistani dhe Uzbekistani nuk do të lejojnë Washington-in të krijojë baza ushtarake në truallin e tyre.

Sipas marrëveshjes së Dohas, rreth 2.500 trupa të SHBA-së dhe mbi 7.000 trupa të NATO-s do të tërhiqen nga Afganistani deri në 11 shtator të këtij viti. Në kthim, talebanët do të parandalojnë që grupet terroriste dhe individët të përdorin tokën afgane për të kërcënuar sigurinë e çdo vendi tjetër, përfshirë SHBA-në.