Qendrat islame në New Jersey dënojnë padrejtësitë e Izraelit kundër palestinezëve

Qendrat Islame që ndodhen në New Jersey të SHBA-së, publikuan një deklaratë të përbashkët e cila dënon padrejtësitë e Izraelit kundër palestinezëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Dëshirojmë të shprehim zemërimin tonë të thellë dhe të dënojmë veprimet e Izraelit dhe aktet e dhunës nga kolonët që ai mbështet kundër palestinezëve në Kudsin Lindor”, thuhet në deklaratën e publikuar nga 14 xhami dhe qendra islame me nënshkrimin “Qendrat islame në New Jersey-in e Mesëm”.

Kufizimet ndaj Xhamisë Al-Aksa, provokimet dhe sulmet e Izraelit ndaj atyre që kryejnë adhurime brenda këtyre vendeve janë të papranueshme, theksohet në deklaratën në të cilën thuhet se “Xhamia Al-Aksa është një prej vendeve më të shenjta për të gjithë muslimanët, ajo duhet të mbrohet në mënyrë që të qëndrojë e tillë dhe se kjo duhet të respektohet”.

“Palestinezët kanë të drejtë të jetojnë në siguri në territoret e tyre që u kanë mbetur nga paraardhësit e tyre. Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut, për krimet që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe për sulmet e tij të fundit”, theksohet në deklaratë.

Po ashtu të zgjedhurve lokalë dhe kombëtar në SHBA u bëhet thirrje që të mos bëhen palë në krimet e Izraelit dhe të kundërshtojnë sulmet e tij të neveritshme.